Pacolli godet “Shtabin e milionerëve”: Si e bëtë milionin e parë, unë u tregoj për timin?

Kreu i AKR’së Behgjet Pacolli, në një postim në Facebook ka goditur “Shtabin e milionerëve” duke i pyetur se si janë pasuruar kaq shpejtë. “Tash këta njerëz qenkan në një shtab tjetër, shtab milionerësh. Pra, paska ndërru edhe objektivi i luftës, luftë për miliona” ka shkruar Pacolli.

Të dashur miq,

Duke shikuar në Internet pashë edhe një herë emisionin investigativ “Shtabi i Milionerëve”.

Me siguri shumë qytetarë kanë pyetur si ka ndodhur ky pasurim i shpejtë i këtyre politikanëve që përmendeshin në atë emision. Këta paskan qenë dikur në shtabe lufte, që për qytetarët ishin si sinonim i së mirës dhe krenarisë patriotike kombëtare. Tash këta njerëz qenkan në një shtab tjetër, shtab milionerësh. Pra, paska ndërru edhe objektivi i luftës, luftë për miliona.

Unë milionin e parë e bëra me shumë vështirësi, punë 35 vjeçare e sakrifica, jashtë shtetit, në një konkurrencë të ashpër të ekonomisë së tregut të lirë, duke konkurruar me mendjet më kreative të botës, ndërsa anëtarët e Shtabit të Milionerëve pasurinë e tyre, siç e pashë, e kishin krijuar pa hasur në kurrfarë vështirësie e pa konkurrencë. Unë i habitur pyes: nga ku, nga puna apo Buxheti i Kosovës?

Shumë e fortë qenka Kosova që u paska sjellë shumë fat njerëzve të caktuar të cilët i shohim dhe për të cilët dëgjojmë çdo ditë.

Por ka një problem, Kosova e udhëhequr nga këta njerëz deri tani nuk u solli këtë fat qytetarëve të vet.

Për fat të keq, ne shumë shpejt, ndoshta do të shohim edhe milionerë të tjerë që u pasuruan nga paratë tona (para që ia kishim dedikuar kauzës tonë në Kosovë) që një pjesë e madhe e tyre kurrë nuk shkuan aty ku duhet./express