Pajaziti i do kolegët deputetë në kuvend, jo në burg

Deputeti i PDK-së Zenun Pajaziti ka shkruar se nuk do që kolegët e tij të jenë në burg. Sipas tij ata e kanë vendin në Kuvend, ndërkaq ka kërkuar urgjentisht një dialog politik.

Statusi i Pajazitit në Facebook:

Vendi po përballet me ditë të vështira. Dhuna dhe gjuha e urrejtjes kanë zëvendësuar punën dhe normalitetin. Disa nga kolegët e mi deputetë zgjodhën metodën e pengimit të mundësisë së debatit duke tentuar ta çojnë më tej kauzën e tyre politike – të liderëve të tyre.

Më vjen shumë keq. Nuk i dua ata në burg. I dua në Kuvend. Me familjet, me miqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Ka kohë që ne jemi kapur pas temave “kombëtare” dhe jemi zhytur në to. Askush tani nuk po çan kokën për obligimet e përditshme nga të cilat varet jeta e qytetarëve dhe fati i vendit. E ardhmja e shtetit dhe fëmijëve tanë. Askush nuk çan kokën për sfidat e tashme të adresuara që lidhen me krimin, papunësinë, zhvillimin jo të kënaqshëm etj. Le të kthehemi të gjithë në Kuvend. Aty te flasim për të gjitha.

Na duhet me urgjencë një dialog politik.

Liderët politik, autoritetet e vendit dhe sidomos Presidentja dhe Qeveria duhet që sa më shpejt të veprojnë.

Askush nga ne nuk do të jemi të falur në të ardhmen nëse shteti ynë i ri rrezikon të futet në spiralen e dhunës, degradimit dhe dështimit.