Pajtim për transport të mallrave dhe vizita të zyrtarëve serbë në Kosovë

Të mërkurën, diku pas orës 3 të mëngjesit, kanë përfunduar takimet maratonike në nivel teknik të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë pasur për qëllim të tejkalojnë problemet e shkaktuara ditëve të fundit, posaçërisht rreth transportit të mallrave të rrezikshme, kalimit të qytetarëve serbë me letërnjoftime që Kosova i konsideron ilegale, si dhe vizitave të zyrtarëve të Serbisë në territorin e Kosovës dhe zhvillimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Sikur ka ndodhur edhe në shumë takime të tilla në të kaluarën, edhe pas këtij takimi palët kanë dhënë interpretime të ndryshme të asaj që është diskutuar dhe për çfarë kanë arritur pajtim, shkruan sot Koha Ditore.

Ajo që e kanë sqaruar njëlloj ka qenë përshkrimi i bisedimeve si “shumë të rënda dhe të tensionuara”.

Edita Tahiri, shefe e delegacionit të Kosovës në këtë dialog, ka thënë në një komunikatë se “është arritur marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme ADR ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë”.