Pantina: Albulena nuk hodhi lotsjellës, le ta arrestojnë gjithë opozitën

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se me rastin e arrestimit të Faton Topallit, Policia është sjellë keq me asistentin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Organet e sigurisë u sollën jo mirë me asistentin e grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Aty ndodhi një bisedë mes Policisë dhe këtij të fundit, dhe asistenti nuk u arrestua”, ka thënë ajo.

Pantina është shprehur se nuk e di arsyen e arrestimit të Albulena Haxhiut, ndërsa ka shtuar se nëse duhen bërë arrestimi, atëherë duhet arrestuar e tërë opozita.

“Albulena Haxhiu nuk ka hedhur asnjëherë gaz lotsjellës. Mirëpo, as veprimi i Donika Kadaj Bujupit e as i Faton Topallit nuk ka qenë individual, për shkak se vendimi nuk ishte i tyre për të hedhur gaz. Nëse duhet arrestuar dikë, duhet arrestuar e tërë opozita e jo vetëm deputetët që tashmë janë në paraburgim”, ka thënë Pantina.