Paralajmërohet seancë me tensione

Tri partitë opozitare edhe një herë kanë rikonfirmuar qëndrimin e tyre se sot do ta bllokojnë sërish seancën plenare, ku pritet të miratohet Projektligji për Buxhetin e Kosovës dhe disa pika të tjera.

Ata kanë thënë se do të përdorin të gjitha format e mundshme për ta penguar funksionalizimin e Kuvendit deri në tërheqjen e marrëveshjeve, që ata i quajnë të dëmshme për Kosovën.

Opozitarët nuk e kanë përjashtuar mundësinë edhe të hedhjes së gazit lotsjellës brenda Parlamentit.

Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se bllokimi i seancës do të ndodhë përderisa nuk tërhiqen.

Shqipe Pantina, deputete nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ka thënë për gazetën “Zëri” se do të përdorin forma të ndryshme për ta bllokuar këtë seancë.

Pantina thotë se deputetët e opozitës do të protestojnë brenda Kuvendit për t’i shprehur  pakënaqësitë rreth marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Opozita do të vazhdojë me bllokimin e seancave, gjegjësisht me protestat brenda Kuvendit. Tash kemi edhe një arsye shtesë për të protestuar se janë arrestuar shtatë kolegë tanë, të cilëve po u nënshtrohet e drejta për të marrë pjesë në Kuvend. Mbajtja në paraburgim të deputetëve tanë është një mjet me qëllim për ta dobësuar opozitën, mirëpo ne jemi edhe më të fortë”, ka deklaruar Pantina.