Parisi dhe klima globale në udhëkryqin historik

Nëse në luftën kundër terrorizmit në botë kemi dy blloqe kundër njëri tjetrit: botën e civilizuar e demokratike kundër një mentaliteti të errët vrasës, në luftën kundër ndryshimeve klimatike ka vetëm një bllok: është vetëm njerëzimi kundër ndotjes dhe lakmisë së vet të pakontrolluar.

Javët e fundit dhe dy javët në vazhdim e kanë vënë Parisin në qendër të vëmendjes botërore për dy arsye që lidhen me fatin e civilizimit botëror dhe të ardhmen e fëmijve tanë. E para lidhet me terrorizmin dhe sulmet terroriste që me një mentalitet barbar nuk kursejnë qytetarë të pafajshëm. Arsyeja e dytë lidhet me ngrohjen globale dhe Samitin e Parisit mbi Ndryshimet Klimatike, rrezik ky që si asnjëherë më parë me tërë seriozitetin e tij po na shfaqet në formën më konkrete dhe ekstreme.

Viti 2015 që po e lëmë pas, sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë shënoi rekordin e vitit më të nxehtë në historinë e matjeve meteorologjike, ndërsa periudha 2011-2015 po ashtu shënoi pesëvjeçarin rekord të nxehtësisë. Për herë të parë, temperatura globale e Tokës sivjet u rrit për 1oC mbi mesataren globale (14 oC) e që është hera e parë prej fillimit të revolucionit industrial e këndej. Dikush edhe mund të pyes se në fund të fundit a mund të jetë kaq kritike 1oC më shumë apo më pak? Përgjigja është më e thjeshtë se sa mendohet: trupi i asnjë njeriu nuk është në gjendje normale nëse temperatura e brendshme trupore rritet për 1oC gradë dhe për atë gradë të vetme duhet shkuar tek mjeku për trajtim emergjent. Edhe ekosistemi Tokë funksionon ngjashëm me një trup të gjallë dinamik që përgjigjet njësoj në veprimet që ç`rregullojnë stabilitetin e tij. Pasojat e kësaj ngritjeje të temperaturës tashmë janë evidente: ekstremet e temperaturave të larta mbi 45oC janë rritur ndjeshëm (mijëra të vdekur vetëm në Indi në gusht 2015), shkrirje akullnajash polare e në majat malore dhe rritje e përshpejtuar e nivelit të detit, thatësitë ekstreme janë duke e zgjeruar shtrirjen e tyre përtej rajoneve tashmë të njohura dhe vënë në pikëpyetje serioze furnizimin me ujë të pijshëm, vërshime katastrofale si rezultat i çrregullimit të ciklit të reshjeve në zona ku nuk kanë qenë të zakonshme, uragane e tajfune të shpeshtuara e me fuqi të shtuar shkatërrimtare, sëmundje të reja nga bartës të panjohur më parë, lloje të reja bimore e shtazore atje ku nuk kanë ekzistuar përpara etj. Pra “organizmi i gjallë” Tokë po i jep simptomat e ndryshimeve të mëdha dhe kërkon reagim të shpejt dhe fuqishëm terapeutik për tu stabilizuar.

Dukuri të ngjashme me ato globale po ndodhin edhe në Kosovë edhe pse jo të dokumentuara shkencërisht: vërehet një mungesë kronike e pranverës dhe vjeshtës siç e kemi njohur para disa dekadave, vërshimet në zonat e caktuara janë bërë dukuri e rregullt, erërat e furishme me tipare uraganesh pothuajse çdo herë e më shumë po e rrisin shkallën e dëmeve materiale dhe shpejt mund të eskalojnë në viktima, thatësia e verës po bën që puset që po hapen për ujë por shkojnë gjithnjë e më thellë etj.

Ekzistojnë në botë forca dhe ide që këto ndryshime klimatike i lidhin me ndryshime natyrale që kanë ndodhur në epoka historike të Tokës, të tjerë kryesisht me bazë religjioze i shohin si dënime që po na vijnë nga Zoti për shkak të mëkateve tona etj. Por asnjë nga këto argumentime nuk po mund te demantoj faktet se klima jonë definitivisht ka ndryshuar dhe është duke u përkeqësuar më tej me një tempo shumë të shpejt. Për herë të parë në histori, sipas të dhënave shkencore koncentrimi mesatar global i CO2 (si shkaktari kryesor i efektit serrë) ka kaluar 400 ppm (pjesë për milion). Ndërsa kriza për ujë të pijes, sipas OKB pritet të marrë përmasat më të rënda rreth mesit të këtij shekulli.

Samiti i Parisit po ndodh në momentin kur frika e kalimit të atij “pragut” prej 1oC tashmë është realitet. Për dallim nga shumë konferenca të ngjashme, duke parë brengën dhe impenjimin e fuqive industriale e politike botërore pritet që Samiti i Parisit të jetë pika kthesë që të mos avancohet drejt gradës së 2- të temperaturës globale e që do të nënkuptonte proces të pakthyeshëm të jetës siq e kemi njohur deri tani.

Deklaratat e presidentit amerikan B. Obama muajve të fundit dhe pjesëmarrja e tij në Samit e shprehin njëkohësisht frikën e madhe për të ardhmen e fëmijëve tanë por edhe optimizmin për një veprim të shpejt dhe fuqishëm në reduktimin e emisioneve të ndotjes si shkaktari kryesor i ngrohjes globale.

Nëse për luftimin e terrorizmit kemi dy blloqe qartësisht të dallueshme: bota e civilizuar në njërën anë kundër makinerisë vrastare të terrorizmit, në luftën finale kundër ndryshimeve klimatike nuk ka bllok të dytë: është njerëzimi kundër rrezikut më të madh deri sot që prej shfaqjes së njeriut në planetin Tokë: ngrohjes globale dhe ndryshimit të klimës. Dhe këtu rol e përgjegjësi ka secili qytetar i Tokës që prej atij të thjeshtit, punëtorit, bujkut, konsumatorit, ekspertit, mësuesit, prindit, prodhuesit, menaxherit, gazetarit, milionerit, miliarderit e më së shumti liderët që duhet të marrin vendime për të ardhmen e këtij planeti.

E kundërta e kësaj e arsyeton punën e superfuqive ekonomike e politike që sa më shpejt të gjinden shenjat e jetës në planetin Mars dhe të filloj vala e “emigrimit” atje. Shpresojmë të mos ketë nevojë në shekujt e afërt situate dhe kërkesa të tipit të filmit me tre çmime Oscar “Avatar”.

Samiti i Parisit na e sjell në mendje këngën hit të para disa dekadave “Final countdown” të grupit që për koinçidencë mbante emrin Europe.

Autori është ligjërues i mjedisit në UP