Pas UNESCO-s, qasje ndryshe ndaj dialogut

Lobimi i Serbisë dhe përdorimi i një gjuhe armiqësore kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, ka dëshmuar se Marrëveshja e 19 prillit 2013, e nënshkruar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq, në Bruksel, nuk ka dhënë rezultatet të prekshme. Madje diplomacia raciste e Beogradit, ka rritur optimizmin në Kosovë që të ndërpriten bisedimet me Serbinë, pasi po dëshmojnë se janë sterile.

Përveç opozitës e cila është deklaruar kundër dialogut, edhe analistët në Prishtinë mendojnë se ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës të ndryshojë qasjen ndaj dialogut.

Ndërkohë, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së 19 prillit 2013, kryeministri i atëhershëm i vendit, Hashim Thaçi, u shpreh i bindur se me këtë Marrëveshje, Kosovës i hapet perspektiva për anëtarësim në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe OKB-në. “Marrëveshja hap perspektivën e Kosovës për të përmbyllur procesin e njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Kosovës në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe OKB-në”, ka deklaruar Thaçi më 27 qershor 2013 me rastin e ratifikimit të Marrëveshjes së 19 prillit në Kuvendin e Kosovës.

Megjithëse, në pikën 14 të kësaj Marrëveshjeje thuhet se Serbia dhe Kosova nuk do ta bllokojnë njëra-tjetrën (vetëm) në procesin e integrimeve evropiane.