Çështja e imunitetit të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, nuk dihet ende se si do të qartësohet nga Gjykata Themelore e Prishtinës, shkruan sot Koha Ditore.
Themelorja është obliguar nga Gjykata e Apelit që të japë përgjigje në këtë dilemë me të filluar procesi gjyqësor. Hasani po akuzohet për dy vepra penale gjatë kohës sa ishte në krye të Kushtetueses – për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Drejtues të gjykatës së shkallës së parë nuk kanë dhënë detaje për hapat që do të ndërmerren pas vendimit të Apelit, por kanë thënë se për çështjen e imuniteteve ekziston një vendim i Kushtetueses.
Pikërisht ky vendim, i cili mban numrin KO98/11, sipas disa juristëve, do të duhej të merrej për bazë tash nga gjykata, duke e konsideruar edhe si obliguese e që, sipas tij, Hasani nuk mund të gëzojë imunitet. Vendimit të njëjtë zyrtarë të prokurorisë kanë thënë se i janë referuar edhe kur e kanë ngritur aktakuzën.