Për ish-Avokatin e Popullit, dje u përmbys sistemi kushtetues

Anëtari më i ri i Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi ka thënë se ajo që ka ngjarë dje është përmbysje e sistemit kushtetues të Kosovës.

“Në Kuvend janë bërë një varg shkeljesh, një është vendimi ilegal i kryetarit Veseli, nënkryetarit Sabri Hamiti e Xhavit Haliti për suspendimin e opozitës. Për këtë ata nuk kanë asnjë dokument bazë që iu jep këtë të drejtë dhe asnjë rrethanë ku mund të suspendohet opozita në një sistem demomratik”, ka thënë Kurteshi.

Sipas tij janë edhe forcat policore, me të cilat ka qenë i mbushur Kuvendi, kontrollet, sulmet fizike dhe ndalesat për të lëvizur lirshëm në Kuvend nga policia.

Kurteshi më pastaj tha se shkelje është edhe arrestimi i deputetëve të Kosovës, dhe mbajtja e seancës pas suspendimit të opozitës.

“Kjo futje e policisë në këtë mënyrë është një ndër rastet e rralla po në histori njihet vetëm në Gjermaninë naziste. Kjo elite politike e përbërë nga Mustafa, Thaçi e Veseli po e zhytin Kosovën në një anarki të paparë. Këtu nuk është duke funksionuar sistemi”, tha Kurteshi.

E Aida Dërguti, thotë se do të vazhdojnë me mobilizimin e qytetarëve për kundërshtimet dhe protestat që do të organizojnë në të ardhmen.

“Ne do të veprojmë me përputhje me mandatin tonë, se ne jemi të zgjedhurit e qytetarëve dhe jo të kryesisë së kuvendit dhe ne do të vazhdojmë të insistojmë të hymë në seancë”, tha Dërguti.