Përfundon seanca maratonike e Kuvendit

Kuvendi i Republikës së Kosovës arriti sonte ta përfundojë seancën e rregullt në të cilën u shqyrtuan dhe u votuan vendimet për 35 pika të rendit të ditës.

Mbledhja e sotme, si dhe disa të fundit në rreth 3 muajt e kaluar, filloi me gaz lotsjellës të cilin e hodhën deputetë të opozitës, fillimisht në sallën plenare, e më vonë edhe në foajenë e Kuvendit, ku gjendeshin pjesëtarët e sigurimit dhe gazetarët që përcjellin punën e Kuvendit.

Pas kësaj Kryesia e Kuvendit mori vendim për përjashtim të shumicës së deputetëve opozitarë nga mbledhja e sotme, pas çka deputetët e shumicës parlamentare u mblodhën në sallën plenare dhe pa praninë e opozitës mbajtën seancën në të cilën i kaluan 35 pikat, pothuajse të gjitha me vendime unanime.

Ndërkohë, në arrest përfunduan edhe tre deputetë opozitarë – Fisnik Ismajli, te i cili sigurimi gjeti dy bombola me gaz lotsjellës gjatë tentimit për të hyrë në sallën plenare, dhe Haxhi Shala e Ismail Kurteshi, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës.

Përndryshe, debati më i madh u zhvillua rreth njërës prej pikave të fundit të rendit të ditës –për kërkesën e kryetarit të Komunës së Prishtinës për dhënien e pëlqimit për rinovimin e sheshit “Adem Jashari” në kryeqendër. Në fund u vendos që të formohet një komision prej deputetëve që do të bisedojë me komunën rreth procedurave për realizimin e projektit.

Duke e përmbyllur mbledhjen e sotme maratonike, kryeparlamentari Kadri Veseli e përsëriti thirrjen për deputetët opozitarë.

“Opozita të vijë në Kuvend! Këtu e ka vendin”, tha Veseli./Kosovapress/