Përmbledhje e aksionit policor për arrestimin e Kurtit dhe aktivistëve të VV-së (Video)

Një aksion i ashpër dhe i gjerë i Policisë së Kosovës te selia qendrore e Lëvizjes Vetëvendosje, ka rezultuar me arrestimin e deputetit Albin Kurti dhe të rreth 100 aktivistëve të këtij subjekti politik.

Pas përfundimit të manifestimit protestues të opozitës në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku mbajti fjalim edhe ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të cilin prej disa ditësh policia po përpiqej ta arrestonte, i shoqëruar nga bashkaktivistët e tij, Kurti ishte futur në zyrat e Vetëvendosjes, raporton KTV.

Shumë shpejt, selia e Vetëvendosjes u rrethua nga të gjitha anët prej qindra pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Këtu, aktivistët e VV-së e barrikaduan godinën e selisë me trupat e tyre. Shumë shpejt, njësitë speciale të Policisë e çanë turmën e aktivistëve, e thyen derën dhe hynë brenda saj.

Këtej e tutje, për më shumë se një orë rresht Policia arrestoi me radhë të gjithë aktivistët që ishin brenda, duke përfshirë edhe atë për të cilin ishte orkestruar krejt ky operacion, Albin Kurtin, babanë e tij Zaim Kurtin, zëdhënësin e VV-së, Frashër Krasniqin dhe rreth 100 aktivistë të tjerë.

Policia tregon se ka pasur informacione për pjesëmarrjen e Albin Kurtit në manifestim, mirëpo nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për arrestimin e tij për të mos eskaluar situata gjatë manifestimit.

“Policia e Kosovës ka poseduar informacione lidhur me pjesëmarrjen e personit të kërkuar me fletarrest të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, mirëpo bazuar në vlerësimet e situatës, dhe me qëllim të moseskalimit të situatës gjatë manifestimit nuk ka ndërmarrë veprime për ndalimin e tij, por që këto veprime do të ndërmerren nga Policia ashtu siç parashihet me Fletarrest”, thuhet në njoftimin e Policisë.