Përplasje në Komunën e Prishtinës për shpenzimet e buxhetit (Video)

Pushtetarët thonë se shpenzuan shumë, por morën pak para nga qytetarët. Opozita thotë se Komuna e Prishtinës shpenzoi pak para nga planifikimi që kishte bërë.

47.95 për qind shpenzoi Prishtina në nëntë muajt e këtij viti dhe kjo për PDK-në është pak. Por, sipas kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, Komuna nuk është keq me shpenzime, por me të hyra. Sipas tij, qytetarët paguan pak në tatim në pronë, për shkak të komplikimeve me faljen e borxhit, si dhe u korrën pak para nga lejet e ndërtimit, për shkak se këto të fundit paguhen me këste.

Nga 27 milionë euro, sa kishin planifikuar t’i marrin si të hyra, komuna arriti t’i grumbullojë mbi 15 milionë euro.

Ahmeti tha se shpenzuan shumë, sidomos në infrastrukturë.

Por, Muhamet Selmani, këshilltar komunal nga radhët e PDK-së, thotë se deklaratat për pak të hyra janë mbulesë për pak shpenzime.

Ndryshe, për shpenzimet kryetari Shpend Ahmeti është dashur të raportojë mbledhjen e kaluar, por pas ndryshimit të rendit të ditës, duke larguar pikat e urbanizmit, ekzekutivi pati lëshuar sallën dhe shpenzimet nuk u diskutuan fare./ Telegrafi