Personalitete të shquara austriake fillojnë fushatën “Yes to Kosovo” (Foto)

E kanë mbështetur Kosovën në forma të ndryshme në të shkuarën. Por, tani kur vendi ynë gjendet para vendimit të madh për të marrë rekomandime pozitive për liberalizimin e vizave, disa personalitete të shquara austriake kanë lansuar fushatën “Yes to Kosovo”.

Në këtë fushatë ata bëjnë thirrje që kosovarët më në fund të gëzojnë liberalizimin e vizave, që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, në Organizatën Ndërkombëtare të Shëndetësisë dhe të pranohet nga Qipro.

Shumica e tyre kanë mbështetur Kosovën edhe në të shkuarën në procese të ndryshme të shtetndërtimit. Një pjesë e tyre janë edhe eurodeputetë.

Edhe nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, në panon e saj ka vendosur sloganin “Yes to Kosovo” dhe ka shkruar “Është koha për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, transmeton Republika.info.

Të njëjtën përmbajtje e kanë vendosur edhe Erhard Busek, Dr. Matias Stolz, NEOS Austria. Ndërsa, thirrje që Kosova të anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Shëndetësisë kanë bërë Dr. Marianne Graf, kryetare e shoqatës Shqipëri-Austri. Disa personalitete tjera kanë bërë thirrje që Kosova të pranohet edhe nga Greqia, disa të tjerë nga Organizata Ndërkombëtare e Tregtisë.

Kjo fushatë është lansuar nga Shoqata Austriake-Kosovare dhe është mbështetur nga disa institucione të tjera. /Republika.info/