PK: Në protesta u lënduan 17 policë

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se si pasojë dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, numri i zyrtarëve policor të lënduar ka arritur në shtatëmbëdhjetë . Dy prej tyre kanë pësuar lëndime të rënda, por që janë jashtë rrezikut për jetë. Policia ka treguar se gjatë protestës janë dëmtuar tetë vetura civile, një veturë zyrtare 3Z dhe katër vetura policore.

“Si pasojë dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, numri i zyrtarëve policor të lënduar ka arritur në shtatëmbëdhjetë (17), ku prej tyre dy (2) zyrtarë kanë pësuar lëndime të rënda, por që janë jashtë rrezikut për jetë”.

Policia në njoftimin për media ka thënë se njëri nga zyrtarët policor të lënduar rëndë, ka qenë me detyrë zyrtare i caktuar në mbarëvajtjen e trafikut në lagjen Ulpiana të Prishtinës, ku papritmas është goditur me mjet të fort në kokë nga protestues të dhunshëm dhe ka pësuar lëndime serioze në kokë.

Po ashtu si pasojë e hedhjes së mjeteve të ndryshme nga ana e protestuesve janë shkaktuar dëme të konsiderueshme si në prona publike po ashtu edhe në prona private.

“Në bazë të informacioneve të deritanishme janë dëmtuar tetë (8) vetura civile, një (1) veturë zyrtare 3Z, katër (4) vetura policore, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme të objektit të parlamentit si dhe të uniformes dhe pajisjeve të ndryshme policore, ka bërë të ditur Policia. expres.