Policia arreston 4 aktivistë të VV-së derisa merreshin me aktivitetet e 8 Marsit

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet Facebook-ut ka njoftuar se Policia e Kosovës sot ka arrestuar katër aktivistët e saj, Zgjim Hysenin, Egzon Azemin, Arbër Morinën dhe Lekë Isufin.

Këtë veprim të Policisë Vetëvendosje e ka quajtur kidnapim, pasi siç thuhet në njoftim, atyre nuk u është treguar fletëarresti, ndërsa arrestimi është kryer gjatë kohës që aktivistët po merreshin me aktivitetet e planifikuara për 8 Mars në mes të një prej rrugëve kryesore në Prishtinë.

Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistëve, Vetëvendosje ka kërkuar dënimin e urdhërdhënësve dhe zbatuesve të këtyre veprimeve, siç i quan, veprime të përndjekjes politike.

Më poshtë gjeni të plotë njoftimin reagimin e Vetëvendosjes:

Vazhdon gjuetia e Policisë ndaj aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s

Policia e Kosovës vazhdon gjuetinë ndaj aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Aktivistët Zgjim Hyseni, Egzon Azemi, Arbër Morina dhe Lekë Isufi janë arrestuar gjatë periudhës që po merreshin me aktivitetet e planifikuara për datën 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Arsyet pse policia i ka arrestuar aktivistët, si zakonisht nuk janë bërë të ditura. Atyre nuk i është treguar asnjë fletarrest, dhe sipas traditës së shtetit policor, thjesht janë kidnapuar në një aksion të papritur ku janë angazhuar policë të uniformuar dhe policë civilë.

Organizimi i këtij arrestimi në mes të një rruge kryesore të Prishtinës, në një orar tepër të frekuentuar prej këmbësorëve, tregon se sulmet policore të urdhëruara nga pushteti kriminal, kanë si synim edhe terrorizimin e qytetarëve.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve, dhe dënimin e urdhërdhënësve e zbatuesve të këtyre veprimeve të përndjekjes politike. /Telegrafi/