Prizreni, me gjysmë milioni euro minus për pagat e mësimdhënësve

Prizren, 18 prill – Telashet e Komunës së Prizrenit me sigurimin e buxhetit të mjaftueshëm për pagesën e mësimdhënësve të angazhuar në arsimin parauniversitar janë të konsiderueshme edhe në këtë vit. Zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit kanë konfirmuar se sivjet nga granti qeveritar janë paraparë afër gjysmë milioni euro më pak mjete për pagat e mësimdhënësve të angazhuar nga Komuna e Prizrenit.

Zyrtari i DKA-së ka theksuar se në këtë situatë nuk po mund të mbulohen pushimet e lehonisë apo ato mjekësore, shkruan sot “Koha Ditore”.

Një tjetër problem i madh, sipas tij është ndërhyrja e Ministrisë së Financave në marrjen e buxhetit prej të hyrave vetjake të shkollave.

“MF ka ndërhyrë dhe i ka marrë mbi 40 mijë euro dhe i kanë qit në paga të rregullta…Kështu që kanë mbetur pa u paguar një pjesë e madhe e mësimdhënësve që kanë punuar në arsimin joformal për të rritur. I kemi bërë tri kërkesa, por përgjigje s’kemi”, është shprehur Osmani.

Muaj më parë, Kuvendi Komunal i Prizrenit i ka dalë në ndihmë DKA-së së Prizrenit. Në kuadër të shumës së bartur të mjeteve të pashpenzuara në vitet e kaluara të hyrave vetjake prej 1.5 milionë eurove janë paraparë edhe pagesat për pagat dhe mëditjet e mësimdhënësve.
Prizreni edhe vitin e kaluar është përballur me vështirësi në sigurimin e buxhetit të mjaftueshëm për pagesën e mësimdhënësve. DKA pati bërë të ditur se viti 2015 nuk ka qenë i mbarë sa i përket aspektit të pagave, për shkak se niveli qendror nga lista kishte hequr 60 mësimdhënës. Po ashtu pati sqaruar se shpenzimet për 178 mësimdhënësit e avancuar nga ShLP në atë me diplomë të fakultetit nuk janë mbuluar, derisa në të njëjtën periudhë kohore as 11 mësimdhënës nuk ishin përfshirë në listë të pagave…