Projektligji për Investime Strategjike hap Kosovën ndaj investimeve të huaja

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka mbajtur sot një konferencë për gazetarë, në të cilën ka prezantuar Projektligjin për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës, i cili është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës

Ajo para gazetarëve tha se ne qysh në fillim të mandatit kemi vërejtur që Kosova nuk është konkurruese në tërheqjen e investimeve të huaja sa i përket legjislacionit dhe këtë krahasim e kemi bërë kryesisht me vendet fqinje dhe vendet e rajonit. Ata kanë procedura të drejtpërdrejta, shumë të shkurtra dhe tepër konkurruese për tërheqjen e investimeve.

Ne kryesisht, me ligjet ekzistuese kemi procedura shumë të gjata për dhënien e tokës në shfrytëzim dhe aseteve tjera, qoftë investitorëve të huaj, qoftë atyre vendës. Pikërisht, ky është qëllimi i projektligjit, që kur bëhet fjalë për investime strategjike, të cilat janë të mëdha për nga aspekti i investimeve, gjithashtu janë tepër të rëndësishme për nga aspekti i transferit të teknologjisë, krijimi i numrit të vendeve të reja të punës, pra, atëherë kur plotësohen të gjitha këto kritere.

Ministrja Hykmete Bajrami, po ashtu, bëri të ditur se Projektligji në përgjithësi përcakton kriteret, masat përshpejtuese dhe lehtësuese, dhe rregullat favorizuese për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Pak a shumë legjislacione të tilla kanë të gjitha vendet e rajonit. Ligji ka qenë në konsultim publik, në konsultimin e brendshëm dhe në konsultimin e jashtëm, kemi inkorporuar në masë të madhe të gjitha komentet nga Banka Botërore, nga Komisioni Evropian, shoqëria civile dhe organizatat e tjera publike.

Tanimë, projektligji mund të pasurohet edhe më tutje, përderisa e kemi në Kuvend, mirëpo ta dimë se ky ligj nuk është për secilin projekt, është në mënyrë specifike për projekte të cilat janë paraparë të gjithë sektorët të cilët krijojnë vende pune dhe bëhet fjalë për shuma të mëdha të investimeve”, theksoi ministrja.

Në pyetjet e gazetarëve lidhur me ndërlidhjen e pronave private me këtë projektligj, ministrja Hykmete Bajrami e bëri të qartë se në këtë projektligj në asnjë formë nuk bëhet fjalë për mundësitë e kalimit të tokës private tek investitorët e huaj apo vendor.

“Bëhet fjalë vetëm për pronën shoqërore dhe pronën shtetërore. Dhe në rast se prona është nën administrimin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit, e kur e dimë se ky është Agjencion që i raporton Kuvendit, atëherë fillimisht Qeveria do të kërkoj nga Kuvendi i Kosovës që prona të kaloj në pronësi shtetërore, e mandej i jepet e drejta Komisionit Ndërministror dhe Qeverisë që të negocioj drejtpërdrejt me investitorët e huaj”, bëri të ditur ministrja Bajrami.

Ministrja e MTI-së, po ashtu, tha se reformat e shumta që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti kanë bërë që të shumëfishohen investimet e huaja. “Ju e dini që për komplet vitin 2014 kemi pasur 151 milionë euro investime të huaja, dhe vetëm për tetë muaj të parë të këtij viti kemi 240 milionë investime të huaja.

Duke marrë parasysh që pakoja e re fiskale ka hyrë në fuqi më 1 shtator, ne në fakt presim që deri në fund të vitit të kemi rreth 400 milionë euro investime të huaja , andaj mund të them se në masë të madhe këto janë duke u adresuar. Më lejoni t’iu them gjithashtu që projektligji të cilin sot e kemi kaluar, në masë të madhe e adreson korrupsionin dhe percepcionin për korrupsionin, sepse kriteret janë shumë të qarta, të përcaktuara për secilin projekt, për secilin sektor në projektligj.

Do të thotë është minimumi i investimeve, janë vendet e punës të cilat duhet të krijohen, është teknologjia , kriteri i transferimit të teknologjisë, dhe kritere tjera. Pa u përmbushur këto kritere, nuk mund të kualifikohet askush si investitorë strategjik.

Kjo nuk do të thotë që Qeveria do të komunikoj drejtpërdrejt me vetëm një investitorë. Në fakt kjo bëhet në formë të aplikacioneve. Çka do të thotë që për të njëjtin aset të Republikës së Kosovës, ne mund të marrim disa aplikacione, të negociojmë me të gjithë, dhe në fund të zgjedhim atë më të mirin”, bëri të ditur ministrja Bajrami.