Projektligji për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, shtyhet për mbledhjen e ardhshme

Komisioni për Integrime Evropiane, i drejtuar nga Slobodan Petrovic, zëvendëskryetar, u mblodh sot për shqyrtimin e Projektligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Projektligjin për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, Projektligjin për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, Projektligjin për Zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, si dhe Projektligjin për Agjencinë Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës, me amendamentet e komisioneve funksionale nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Komisioni pas diskutimit dhe vërejtjeve rreth Projektligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, vendosi që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për në mbledhjen e ardhshme. Vërejtjet më së shumti ishin të drejtuara në nenin 56, për të drejtat e anëtareve të familjes së ambasadorëve dhe stafit diplomatik. Kërkesa e anëtareve të komisionit rreth këtij neni ishte që të shikohen praktikat e shteteve të tjera.

Në vazhdim, Projektligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, si dhe Projektligji për Zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, janë rekomanduar për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, është votuar edhe Projektligji për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, si dhe Projektligji për Agjencinë Kosovare për krahasimin dhe verifikim të pronës./Gazetaliria.com/