Promovohet Udhëzuesi për kamera në institucionet arsimore

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe me mbështetjen e OSBE-së sot kanë promovuar “Udhëzuesin rreth kritereve të vëzhgimit me kamera në Institucionet arsimore”, ka njoftuar Zyra për informim e kësaj Agjencisë Shtetërore.

Me rastin e promovimit të Udhëzuesit është mbajtur edhe një konferencë për media, në të cilën ka folur mbikëqyrësi kryesor shtetëror i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ruzhdi Jashari. Ai, përveç mirënjohjes që shprehu për të gjithë ata që kishin kontribuar në hartimin e këtij udhëzuesi, theksoi shpresën e tij që ky udhëzues të shërbejë që sistemi i vëzhgimit me kamera të aplikohet në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, transmeton Koha.net.

Fjalë rasti në kuadër të këtij promovimi pati edhe Azem Guri, këshilltar politik i Ministrit të Arsimit, i cili, veç tjerash shprehu gatishmërinë e ministrit Bajrami për të mbështetur edhe në të ardhmen projektet e Agjencisë që janë të ndërlidhura në fushën e arsimit.

Për t’i informuar më hollësisht të pranishmit rreth idesë, procesit të zhvillimit të këtij projekti deri në publikimin e tij, në cilësinë e moderatorit të kësaj konference dhe bartësit të këtij projekti, foli edhe Jeton Arifi, drejtor për Marrëdhënie me Jashtë në ASHMDHP.

Ai vlerësoi që pas shpërndarjes së këtij udhëzuesi nëpër institucionet parashkollore, shkollore të të gjitha niveleve, si dhe në ato të arsimit të lartë, do të bie numri i ankesave për shkelje të privatësisë, i cili po paraqitet si rrjedhojë e aplikimit pa kritere të vëzhgimit me kamera të sigurisë.