Në mbledhjen e dy kuvendeve, kryetari i grupit parlamentar Partia Socialiste e Shqipërisë, Taulant Balla ka propozuar që takimi i radhës i deputetëve të Kosovës dhe Shqipërisë, të mbahet më 10 qershor 2023 në Prizren, në 145 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ndërsa gjatë fjalimit të tij, ai përmendi ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, duke thënë se duhet të mbrohet legjitimiteti i luftës heroike.
Për këtë ka folur edhe shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, sipas së cilit historia e ndërtuar me sakrificë nuk mund të ndryshohet nga askush.
Ndërsa ,kryetari i grupit parlamentar Partia Demokratike e Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj, tha se e mbështesin të vërtetën heroike të shqiptarëve të Kosovës, derisa theksoi se janë në pritje të shqyrtimit të rezolutës të cilën e kanë propozuar për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë.
“Partia Demokratike do ta shoh Serbinë vetëm me sytë e Kosovës. Ne jemi për paqe midis popullit serb dhe atij shqiptar, por pa lëkundur mendojmë se të drejtën e shpalljes së kësaj paqeje e ka Kosova dhe populli i saj.
Për dialogun në mes të Kosovës dhe Shqipërisë ka folur edhe deputeti i parlamentit të Shqipërisë, Fatmir Mediu i cili tha se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar në procese të tilla të rëndësishëm për Kosovën.
Ai shtoi se Serbia e mbështetur nga Rusia, në mënyrë të vazhdueshme provokon në veri të Kosovës.
Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se mbledhje në mes të dy kuvendeve duhet të mbahen më shpesh.
“Sot duhet të kujtojmë edhe ata djem dhe vajza të cilët derisa dhanë frymën e fundit në frontin e lirisë kishin shikimin nga malet shqiptare, me flamurin kuq e zi në gjoks shumë gjak u derdh të hiqej ai kufi, shumë shpresa u ngritën për çlirimin e vendit, shumë ëndrra u lanë në gjysmë që jeta e kombit të mos zhvillohej ndarë. Është pra detyrë e jona që kjo mbledhje mos të jetë veçse e para, të tjera më domethënëse e dobiprurëse duhet të vijojnë”, tha ajo.
Gjithashtu, shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se Kosova dhe Shqipëria kanë rrugët e përbashkët evropiane.
Ai theksoi se domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.
Gashi: Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve është kontribut për demokracinë
“Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve është kontribut për demokracinë, dhe është një akt patriotik për proceset tona integruese. Bashkë kështu si sot ne na duan shqiptarët, bashkë ne festën e madhe të shqiptarëve, bashkë në angazhimin për integrim sa më të shpejtë të dy shteteve tona në familjen e madhe evropiane”, tha Gashi.
Kjo është mbledhja e parë e dy kuvendeve dhe po zhvillohet në tiranë në prag të shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë./gazetaexpress/