Puthje me korrespondencë? Tani mundeni

“Kështu me korrespondencë të puth gjithë ditën unë”. Në vitin 1986, puthja me korrespondencë ishte vetëm një batutë në komedinë e njohur shqiptare “Pallati 176”. Por sot, mund ta bëni vërtet.

Një kompani kineze ka shpikur një aplikacion dhe një pajisje, përmes së cilës mund t’i dërgoni njerëzve tuaj të dashur puthjen tuaj, edhe nëse ndodhen mijëra kilometra larg. Pajisja mundëson që çiftet të kenë sadopak intimitet, pavarësisht largësisë.

E testuar dhe promovuar deri tani vetëm në tregun kinez, ajo ka ngjallur reagime të shumta, habi dhe kureshtje në të njëjtën kohë.

Pajisja ka një palë buzë silikoni, poshtë të cilave janë vendosur sensorë që memorizojnë lëvizjen e buzëve njerëzore. Përveç formës së buzëve, ajo mund të përcjellë nga ana tjetër edhe zhurmën e puthjes.

Për të dërguar puthjen, përdoruesit duhet të shkarkojnë aplikacionin në celular dhe të lidhin buzët e salikonit me telefonin aty ku vendoset karikuesi. Pasi të dy partnerët ta kenë bërë këtë, atëherë mund të nisë videotelefonata dhe “videoputhja”.

Sipas medias kineze “Global Times”, shpikja është patentuar nga Instituti i Teknologjisë Changzhou. “Kur isha student, kisha një marrëdhënie në distancë dhe kontakti i vetëm që kisha me të dashurën ishte përmes telefonit”, tha për “Global Times” Jiang Zhongli, shpikësi kryesor i aplikacionit dhe pajisjes.

Një shpikje e ngjashme, “Kissinger”, është promovuar në Malajzi në vitin 2016, por në formën e një tablete prej silikoni, pa buzë thuajse reale.

Përveç se ndihmon lidhjet në distancë, shpikja kineze ka edhe një version për të puthur të panjohurit, para se t’i takosh. Pajisja shitet në Kinë për 41 dollarë.