Putin akuzon Turqinë se po e mbështet ISIS-in

Tensionohen marrëdhëniet mes Turqisë e Rusisë pas rrëzimit të avionit ushtarak rus nga ushtria turke në një zonë kufitare mes Turqisë e Sirisë. Agjencia Shtetërore e Turizmit Rostourism, po rekomandon pezullimin e shitjes së paketave turistike drejt Turqisë, informon agjencia e lajmeve ruse Ria news.

Presidenti i Këshillit Evropian bën apel për qetësi. Përmes një postimi në Twitter Donald Tusk thotë: Në këtë moment të rrezikshëm pas rrëzimit të avionit rus është e rëndësishme të ruajmë qetësinë dhe gjakftohtësinë.

Pas një takimi me Mbretin Abdullah të Jordanisë, lideri rus akuzoi Turqinë se po mbështet ISIS në shitjen e naftës. “Prej kohësh kemi regjistruar lëvizjen e një sasie të madhe nafte dhe gazi nga territoret e pushtuara nga ISIS në Turqi.

Kjo shpjegon se nga po marrin financimet terroristët. Tani ata po na godasin me thikë pas shpine duke goditur avionët tanë që po luftojnë terrorizmin. Kjo ndodh pavarësisht marrëveshjes që ne kemi firmosur me partnerët tanë amerikanë për të ndaluar incidentet ajrore. Siç e dini Turqia është pjesë e koalicionit amerikan që duhet të luftojë terrorizmin”, ka thënë presidenti rus, Vladimir Putin.

“Nëse ISIS po bën kaq shumë para, – ne po flasim për dhjetëra ndoshta qindra miliona, ndoshta miliardë dollarë- në tregtinë e naftës, dhe ata janë të mbështetur nga forcat e armatosura të një shteti të tërë, është e qartë pse ata janë kaq të pafytyrë dhe të guximshëm dhe pse po kryejnë sulme terroriste në të gjithë botën përfshi dhe Evropën”, ka thënë Putin.

Ndërkohë Lavrov anuloi vizitën e planifikuar për në Ankara të mërkurën për bisedime dy palëshe. Nga ana e autoriteteve turke thuhet se bisedimet do të mbahen siç ishte planifikuar.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan thërret një takim urgjent të sigurisë ku bëjnë pjesë gjeneralët kryesorë, krerët e shërbimeve të inteligjencës, kryeministri Davutoglu dhe ministra të tjerë, informon CNN./Kp. Lajmi.net.