Putin: Veprimi i Turqisë akt tradhtie

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se rrëzimi i aeroplanit rus nga Turqia është akt tradhtie nga një shtet që ai e konsideronte si mike.

Pas takimit me presidentin francez, Francois Hollande, Putin ka thënë se Rusia është e vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me koalicionin e prirë nga ShBA-të për të kryer operacione ushtarake në Siri.

Orë më parë, Presidenti i Recep Tayyip Erdogan ka thënë se Turqia nuk e ka ndërmend t’i kërkojë falje Rusisë për rrëzimin e aeroplanit afër kufirit me Sirinë.

Në një intervistë për CNN, presidenti turk ka theksuar se është pala tjetër ajo që duhet të kërkojë falje për hyrjen në hapësirën ajrore të Turqisë.

“Mendoj se është një palë tjetër që duhet të kërkojë falje, nuk jemi ne”, ka thënë Erdogan. “Ata të cilët e shkelën hapësirën tonë ajrore duhet të kërkojnë falje. Pilotët tanë dhe forcat tona të armatosura, ata vetëm përmbushën detyrat e tyre, për të cilat janë përgjegjëse”.