Putin viziton Ukrainën, vlerëson “rindërtimin” e Mariupolit

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka bërë një vizitë të papritur në Mariupol, e para në qytetin e pushtuar në fillim të ofensivës ruse në Ukrainë.

Sipas agjencisë së lajmeve TASS, Putin shkoi me helikopter në Mariupol të shtunën dhe bëri një tur nëpër qytet. Ai vizitoi disa zona të qytetit dhe foli me banorët, ndërkohë që iu prezantua edhe një raport mbi punën e rindërtimit të qytetit, që u bombardua intensivisht nga forcat ruse.

Sipas Kremlinit, Putin bisedoi me “qytetarë ukrainas mirënjohës”.

Kjo është hera e parë që Putin hyn zyrtarisht në territorin ukrainas që nga nisja e pushtimit në muajin shkurt të vitit 2022.

Para Mariupolit, 70-vjeçari Putin vizitoi Krimenë, që e ka aneksuar nga Ukraina në vitin 2014.