Qeveria e painformuar për marrëveshjen mes KFOR-it dhe ushtrisë serbe

Vizita e shefit të ushtrisë serbe në Kosovë, Lubisha Dikoviq, ndaj të cilit ka akuza për krime gjatë luftës së vitit 1999, ka zënë në befasi Qeverinë e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se marrëveshja e fundit bie në domenin e përgjegjësisë së KFOR-it dhe ushtrisë serbe, derisa ka shtuar se nuk parapëlqejnë ta shohin Dikoviqin në Prishtinë. Por ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka kërkuar sqarime nga komandanti i KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta, duke i thënë atij se vizitat e ushtarakëve që akuzohen për krime lufte nuk i kontribuojnë rendit dhe sigurisë së përgjithshme.

“Sa i përket vizitës së Dikoviqit, ne si Qeveri s’kemi pasur informata. Është bërë në kontakte të drejtpërdrejta të KFOR-it me ushtrinë e Serbisë, sepse prej marrëveshjes së Kumanovës e tutje, këto kontakte kanë qenë të drejtpërdrejta mes KFOR-it dhe atyre dhe ajo që është nënshkruar ka qenë në kompetencë të KFOR-it”, ka thënë kryeministri Mustafa.