Qeveria firmos mbylljen e “Mehmet Akif”, s’e thotë shkakun, Kolegji: Kemi zbatuar të gjitha ligjet

Qeveria Shqiptare ka vendosur këtë të enjte që të mbyllë gjimnazin “Mehmet Akif Ersoy” në Tiranë.

Vendimi u shpall sot pas mbledhjes së qeverisë dhe mban firmën e zv/kryeministres Belinda Balluku ndërsa gjimnazi turk në Shqipëri duhet të pajisë nxënësit me dokumentacionin e nevojshëm që ata të transferohen në institucione të tjera arsimore.

Arsyen e këtij vendimi qeveria ende nuk e ka bërë të ditur.

VKM-ja e plotë:

1.Mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”, i licencuar me vendimin nr.560, datë 26.8.1996, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënie lejeje për funksionimin e institucioneve arsimore private”, për nivelin e arsimit të mesëm të lartë, i cili e zhvillon mësimin edhe në gjuhë të huaj.

2.Institucioni arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy” ka këto detyrime:

a) Të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar;

b) Të mbulojë të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, në zbatim të këtij vendimi;

c) Të kthejë pagesat e kryera (nëse ka) nga prindi/përfaqësuesi ligjor i nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj nxënësit;

ç) Të vërë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim;

d) Të dorëzojë në Arkivin Shtetëror Vendor të gjithë dokumentacionin që disponon, si dhe të paraqesë në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, një kopje të dokumentacionit dhe të procesverbalit të dorëzimit të tij, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

3.Institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, nën juridiksionin e të cilit ndodhet shkolla, ka për detyrë:

a) të ngrejë grup pune brenda 3 (tri) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe të marrë masat për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”;

b) të marrë masat për transferimin e nxënësve në institucione të tjera të arsimit parauniversitar për të gjithë nxënësit e regjistruar në këtë institucion arsimor;

c) të administrojë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë mësimore të kryer nga ky institucion arsimor privat parauniversitar.

4.Në shkronjën “b”, të pikës 1, të vendimit nr.560, datë 26.8.1996, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënie lejeje për funksionimin e institucioneve arsimore private”, fjalët “… kolegji “Mehmet Akif Ersoy”, i nivelit të arsimit të mesëm në qytetin e Tiranës… ”, shfuqizohet.

5.Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale Arsimore Parauniversitare, Durrës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë, institucioni arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy” dhe fondacioni “Gulistan” për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Pas vendimit të qeverisë, ka reaguar edhe Kolegji “Mehmet Akif” përmes një deklarate në Facebook.

Sipas institucionit, ata janë njohur me vendimin përmes medies dhe ende nuk janë informuar mbi arsyet zyrtare të mbylljes.

Deklarata e plotë:

Njoftim për shtyp mbi VKM-në e datës 22 Shtator 2022 për mbylljen e aktivitetit të shkollës së mesme jopublike “Mehmet Akif” Tiranë

Nëpërmjet medias jemi njoftuar sot për VKM-në me objekt mbylljen e aktivitetit të institucionit tonë duke mos mësuar zyrtarisht mbi shkaqet e vendimit, i cili godet në radhë të parë arsimin cilësor në Shqipëri.
Shkolla e Mesme jopublike “Mehmet Akif” eshte pjese e Fondacionit “Gulistan” prej 26 vitesh në Shqipëri duke zbatuar në mënyrë të përpiktë kuadrin ligjor të vendit, ndërsa mbart mbi vete një histori të madhe suksesi teksa është radhitur në mënyrë të vazhdueshme në krye të listës së shkollave më të mira.
Me dhjetëra medalje ari dhe qindra të tjera në olimpiada brenda dhe jashtë vendit, shkolla jonë është një krenari e nxënësve, prindërve që na besuan si edhe vetë Shqipërisë duke dhënë një kontribut të rendësishëm në rritjen e cilësisë së arsimit këtu.
Jo më kot, institucionet përgjegjëse na kanë vlerësuar si ndër më të mirë për vite me radhë në këtë sektor.
Deri më tani, në shkollën tonë janë arsimuar mijëra nxenës, të cilët sot përbëjnë elitën intelektuale të vendit, ndërsa duam të theksojmë se krahas tyre, vendimi i qeverisë prek në mënyrë të drejtpërdrejtë 159 nxenës nga e gjithë Shqipëria dhe familjet e tyre krahas mësuesve dhe stafit mbështetës të shkollës.
Pavarësisht sukseseve tona, dashurisë dhe përkushtimit ndaj arsimit, sot u përballëm me një vendim të tillë, i cili sipas nesh nuk ka të bëjë me arsimin apo zbatimin e ligjeve të këtij vendi.

Si u shkua deri këtu
Në fund të vitit mësimor 2021-2022 u ndjemë të detyruar të ndryshojmë godinën, pranë Rrugës së Kavajës në Tiranë, te një tjetër, në zonën e Mëzezit / Kashar (ish-godina e Univesitetit “Aldent”).
Për të kthyer këtë godinë në një ambient të denjë për standardet tona, vepruam sipas përcaktimeve ligjore duke njoftuar Ministrinë e Arsimit si edhe morëm leje për të kryer punime nga institucionet e qeverisjes vendore.
Gjatë kësaj periudhe, deri në fund të muajit gusht kemi patur inspektime dhe korrespondencë të rregullt me autoritetet përgjegjëse dhe nuk kemi hasur asnjë problem dhe nuk jemi informuar për diçka që nuk shkon në drejtim të vijimit të punës normalisht.
Në 14 shtator të këtij viti, pranë shkollës sonë paraqitet një grup pune i Ministrisë së Arsimit për të kryer inspektimet mbi ligjshmërinë e veprimtarisë.
Çuditërisht, sot më datë 22 shtator, nëpërmjet postës jemi njoftuar nga Ministria e Arsimit se institucioni ynë nuk i plotëson kriteret për vijimin e aktivitetit.
Ndodhur pëpara një vëndimi të tillë, kemi bindjen e plotë se drejtësia do e thotë fjalën e saj.
Fondacioni Gulistan do ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të mundësuar vijimësinë normale të aktivitetit arsimor.

Me respket,
Fondacioni Gulistan

Generated by Feedzy