Qeveria kërkoi informacione për 14 llogari në ‘Facebook’

Policia e Kosovës gjatë vitit 2015 ka arrestuar dhjetëra persona si të dyshuar për lidhje me organizatat terroriste, nga pjesëmarrësit e luftës në Siri, prijësit fetarë, të cilët dyshohet se kanë inkurajuar të rinjtë për të shkuar atje, e deri te persona të cilët kanë rrezikuar sigurinë e vendit.

Përballja e Policisë së Kosovës, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe institucioneve të tjera relevante me këto rreziqe jogjithmonë ka qenë e lehtë.

Në disa momente, Kosova ka pasur nevojë që të kërkojë edhe ndihmë ndërkombëtare për t’i përballuar këto probleme. Një prej dyerve në të cilat Kosova ka trokitur ka qenë edhe ajo e rrjetit më të madh social në botë “Facebook”. Kosova në 6 muajt e parë të vitit 2015, respektivisht nga janari deri në qershor, ka kërkuar informacione të detajuara nga “Facebook”-u në 6 raste, të cilat përfshijnë 14 llogari apo persona.

Në informatat që “Zëri” ka arritur të sigurojë nga “Facebook”-u mëson se në 50 për qind të rasteve “operacionet” kanë pasur sukses, ku disa të dhëna janë siguruar.