Qeveria miraton ndryshimet për Ligjin e AKP-së

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të mbajtur sot, është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Aty u ngrit edhe një çështje nga ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, i cili kërkoi që të bëhen ndryshime në këtë ligj sa i përket çështjes së tokave bujqësore.

Krasniqi tha se në vitet e fundit janë privatizuar 28 mijë hektar tokë bujqësore të ish-ndërmarrjeve shoqërore dhe për fat të keq shumë prej tyre nuk kanë një funksion bujqësor në vitet pas privatizimit, pavarësisht se kanë qenë toka të kategorisë së klasës së parë, transmeton Koha.net.

Ministri Krasniqi ka kërkuar që në ndryshimet e ardhshme në këtë ligj, të mundësohet që tokat të cilat janë aktualisht nën menaxhimin e AKP-së të kalojnë nën menaxhimin e Qeverisë.

Sipas komunikatës së dërguar nga Qeveria e Kosovës, plotësimet dhe ndryshimet në Ligj synojnë të rregullojnë përbërjen e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, zgjedhjen e bordit dhe procedurat e vendimmarrjes në bord.

Në lidhje me këtë kryeministri Mustafa tha se kjo çështje është shtruar në mënyrë emergjente për arsye se është konstatuar se ka disa papajtueshmëri me Ligjin ekzistues sa i përket emërimit të Bordit të Drejtorëve në Kuvend, për arsye se aty ka mbetur një dispozitë e cila thotë se së paku njëri duhet të jetë i jashtëm, ndërkaq mandati i drejtorëve të jashtëm ka kaluar dhe kjo do të krijonte pengesë që tani Kuvendi të vendosë për bordin e drejtorëve.

Mustafa e ka përkrahur propozim-ndryshimin e ministrit Krasniqi, por ka shtuar se ndryshimet e fundit kanë qenë vetëm në tek emërimi i anëtarëve të bordit dhe vendimmarrja dhe jo pjesë tjera.