Qeveria nuk po e dërgon në Kuvend ligjin që ‘prek’ shumë zyrtarë politikë (Video)

Projektligji që ua ndalon zyrtarëve të shtetit që të mbajnë nga dy e më shumë poste, e që u prek direkt në xhepin e tyre, nuk po mundet assesi të kalojë, raporton KTV.

Është hera e dytë që Qeveria e Kosovës ka tërhequr Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.

E miratimi i këtij ligji është edhe një nga kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave.

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka deklaruar se ky veprim i ekzekutivit është absurd.

Megjithëse nga qeveria nuk kanë dhënë arsyet e vërteta të tërheqjes, problem duket të jetë fakti se ligji e ndalon kategorikisht që një zyrtar t’i mbajë dy e më shumë poste. Më shumë se 800 zyrtarë publikë mbajnë nga dy deri në pesë vende të punës.

Ky fakt vazhdon të përmendet si problem shqetësues edhe në Raportin e Progresit për Kosovën.

Tërheqja e këtij projektligji u bë në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, me kërkesën e zv/kryeministrit Kujtim Shala, i cili gjatë tërë ditës ka qenë i pakontaktueshëm.

Kurse, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuqi, ka thënë se nuk i di arsyet e tërheqjes./ Express