Qeveria po bën gati strategjinë për Trepçën

Prishtinë, 1 dhjetor – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vazhduar takimet konsultative lidhur me procesin e hartimit të strategjisë dhe të ligjit për ndërmarrjen Trepça.

Në takimin e radhës, të mbajtur sot, u shqyrtuan disa aspekte dhe propozime që lidhen me këtë proces, si dhe u diskutuan hapat e ardhshëm të institucioneve kompetente në këtë drejtim.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës, për të punuar me të gjithë faktorët relevantë në Republikën e Kosovës për të hartuar një strategji dhe një ligj sa më të kompletuar për Trepçën dhe se puna në këtë drejtim do të vazhdojë edhe më tutje.

“Jemi në rrugën e duhur për gjetjen e zgjidhjes më të përshtatshme duke pas parasysh të gjithë faktorët dhe rrethanat ekonomike e sociale që lidhen me ndërmarrjen Trepça”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Në takim morën pjesë Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Ahmet Tmava, drejtor i përgjithshëm i Trepçës, ministrat Avdullah Hoti, Blerand Stavileci dhe Hykmete Bajrami, përfaqësues të AKP-së dhe ekspertë e përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë./Koha/