QYTETARËT E HEQIN FLAMURIN ME NGJYRËN E PURPURTË DHE TË HIRTË!
Sot disa qytetarë të Gjilanit kanë realizuar një aktivitet pranë përmendores së heronjve Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, duke zëvendësuar flamurin e vjetër kuq e zi me mbishkrimin e UÇK-së, me një flamur të njëjtë por të ri.
Shkëlzen Krivaqa njëri nga ideatorët dhe njëherazi blerësi i flamurit të ri, tha se ideja u ka ardhur teksa po ecnin në rrugën “Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha” dhe kanë parë ngjyrat krejtësisht të transformuara të flamurit kuq e zi.
“Lindi një debat me shokët e mi rreth ngjyrë së vërtetë të flamurit të valuar për shumë kohë pranë përmendoreve të dy heronjve të shquar të kombit. E pamë se flamuri ishte vjetruar tejmase, i kishte ndërruar krejtësisht ngjyra sakaq humbi nuancat për të përfaqësuar ngjyrat kombëtare kuq e zi. Prandaj shkuam në një lokal, e diskutuam idenë e këtij aktiviteti dhe në fund e realizuam.” Krivaqa duke shtuar se komuna duhet të përkujdeset për mirëmbajtjen jo vetëm të këtyre dy përmendoreve por për të gjitha monumentet e tjera nacionale që gjinden në komunë, theksoi edhe këtë: “Flamuri i vjetër me ngjyra kuq e zi ishte shndërruar nga ligjet e entropisë në ngjyrë të purpurtë apo të hirtë. Prandaj duke e vënë flamurin e ri, e rikthyem flamurin kuq e zi pranë dy heronjve meritorë me ngjyrat që duhet t’i ketë flamuri kombëtar, kuq e zi, e jo ngjyrat që krijohen nga pluhuri i harresës!”
Leonard Miftaraj gjersa po bëhej gati për ta vënë flamurin e ri bashkë me katër shokët e tij, tha se obligimi për heronjtë nuk mbaron kurrë dhe ne gjenerata e re jemi të obliguar të kemi respektin e thellë për ta. “Kjo që bëmë ne është më e pakta që mund të bëjmë në krahasim me sakrificat e dy heronjve si Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha. Ata vdiqën aq të rinj për kombin, sakaq u bënë shembëlltyrë e frymëzimeve dhe inspirimeve edhe të brezit të ri të gueriles së fundit kosovare për liri dhe po ashtu duhet të jetë frymëzim për gjeneratën e paspavarësisë.”
Uran Salihu njëri ndër kontribuesit kryesorë në aspektin teknik dhe logjistik, por edhe ideor për ndërrimin e flamurit të vjetër kombëtar shqiptar, deklaroi: “Papërgjegjësia institucionale duhet të luftohet edhe në gjërat më të vogla përmes përgjegjësisë qytetare. Prandaj, e kemi obligim qytetar që sa herë shteti apo komuna dështon në mirëmbajtjen sistematike të përmendoreve të heronjve apo hapësirave publike, të shfaqet angazhimi simbolik qytetar si kjo për vënien e flamurit të ri që ta shton presionin tek autoritetet publike.”
Ndërsa Avni Rudaku përkrahu nismën e bashkëqytetarëve gjilanas, duke prezantuar edhe në këtë aktivitet gjatë realizimit. Sipas tij, secila iniciativë qytetare tregon gjallërinë dhe indinjatën e qytetit kur diçka nuk shkon në rregull. “Qytetari duhet të indinjohet, por edhe të angazhohet. Indinjata pa angazhim është fatalitet, prandaj mbështes këtë aktivitet sado simbolik, sepse jep shenja se qyteti nuk ka vdekur, se qyteti ka zë, se qyteti vepron, përkundër atyre që nuk kryejnë obligimet për të cilat janë të thirrur dhe atyre që nuk denoncojnë më fuqishëm aberracionet” – përfundoi Rudaku.
Aktiviteti u ndihmua po ashtu edhe nga Valdrin Halimi!/http://xlpress.tv/