Qyteti i Kumanovës ka organizuar pritje ëndrrash për Alijin (Video)

Të martën, më 17 nëntor, një ditë pas përfundimit të miqësores Shqipëri – Gjeorgji, që do të zhvillohet në stadiumin kombëtar Qemal Stafa, shqiptarët e Maqedonisë do të kenë në gjirin e tyre njërin prej “heronjve” kuqezi të Kombëtares së Shqipërisë.

Prej disa ditësh, po punohet për të pritur dhe nderuar në një mbrëmje festive, krenarinë e shqiptarëve të Maqedonisë, mbrojtësin Naser Alijin, pjesë e kuqezinjve të Kombëtares së Shqipërisë, të cilët kanë bërë historinë dhe u kualifikuan në finalet e Francë 2016, transmeton SportAl.

Në këtë spektakël sportiv, që do të organizohet të martën, më 17 nëntor, në orën 17:00, në Pallatin e Kulturës të Kumanovës, shqiptarët e Maqedonisë do të kenë rast të takohen me “birin” e tyre, Naser Aliji.

Dhe jo vetëm kaq. Ata do të shikojnë edhe një dokumentar të përgatitur enkas për futbollistin Aliji, ndërkohë që takimi do të shoqërohet edhe me këngëtarë, të cilët do t’i japin ngjyra më festive takimit të Kumanovës, ku hyrja do të jetë falas për të gjithë dashamirët kuqezinj.