Rama zbulon një tjetër arsye përse Shqiptarët po e lënë masivisht vendin

Kryeministri Rama ka gjetur një tjetër motiv për largimin masiv të shqiptarëve drejt vendeve të BE.

Më parë ai ka thënë publikisht se shumica e azilkërkuesve janë emigrant shqiptarë që jetojnë në Greqi. Pak javë më parë ministri i brendshëm gjerman, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ia hodhi poshtë këtë version, që iu përsërit në konferencë shtypi nga ministri Tahiri. Ish –ministri i tij i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj, pati një tjetër version më herët kur tha se të larguarit ishin nga bashki të drejtuara nga PD. Sot, në një aktivitet për regjistrimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, Rama dha një tjetër arsye, të padëgjuar deri tani prej tij.

Sipas Ramës, ikjet masive të Shqiptarëve janë normale pas zgjedhjeve të përgjithshme. “Është kollaj të bërtasësh sot se po ikin shqiptarët, a thua se për herë të parë shqiptarët ikën e morën rrugën pas zgjedhjeve të fundit. Është kollaj të thuash se u zgjodhët ju, prandaj poi kin shqiptarët. Ndërkohë që arsyet e ikjes janë shumë më të thella, në këtë periudhë 20 e kusur vjeçare”, u shpreh ai. Vetëm në dy vitet e qeverisë Rama thuajse 100 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. Dhe pjesa më e madhe e tyre kanë aplikuar për azil politik. Mbi 50 mijë janë regjistruar vetëm në Gjermani. Arsyeja kryesore e largimeve, sipas INSTAT, është papunësia. / Lapsi.al