Raporti i KE’së për vizat të mërkurën e ardhshme, a do të zhgënjehen përsëri kosovarët?

Komisioni Europian pritet ta publikojë të mërkurën e ardhshme raportin për procesin e liberalizimit të vizave, ku do të merret vesh nëse kosovarët kanë përmbushur kushtet e kërkuara nga Brukseli. Nëse ka vlerësim pozitiv, atëherë KE do t’i rekomandojë Këshillit të BE’së heqjen e vizave për kosovarët. Por, Këshilli Europian që takohet dy herë brenda vitit, nuk do ta shqyrtojë këtë çështje para qershorit të vitit 2016. Vendimi i djeshëm i Këshillit të BE’së kanë lënë të zhgënjyer institucionet kosovare, sidomos Ministrin e Punëve të Jashtme Hashim Thaçin i cili ka bërë kritika të ashpra ndaj Brukselit.

Kosovarët nuk do të mund të lëvizin pa viza edhe për një periudhë të pacaktuar pasi Komisioni Europian nuk i rekomandoi Këshillit të BE’së liberalizimin e vizave. Kështu në konkluzionet e djeshme, pavarësisht pritjeve për rekomandim pozitiv, theksohej se Kosova edhe më tej duhet t’i plotësojë kriteret e kërkuara nga Brukseli.

Por, Komisioni Europian pritet të mërkurën e ardhshme ta thotë fjalën e vet se cilat janë arritjet e Kosovës në këtë proces. Nëse ka vlerësim pozitiv dhe Komisioni Europian rekomandon liberalizimin e vizave, atëherë vendimi mbetet në duart e vendeve anëtare të BE’së të cilat këtë cështje do ta shqyrtojnë vetëm pas 6 muajsh.

Në variantin më optimist dhe nëse janë plotësuar kriteret, lajmi për lëvizje të lirë nga kryeqyteti europian mund të vijë në qershorin e vitit 2016. Por, kjo nuk do të thotë që në qershor qytetarët me automatizëm do të mund të udhëtojnë në vendet e BE’së.

Burime të Gazetës Express bëjnë me dije se Komisioni Europian pritet që të mërkurën e ardhshme të prezantojë një raport se ku ka arritur Kosova në këtë proces. Shpalosja e gjetjeve për Kosovën, do të ndodhë pasi një gjë e tillë do të bëhet për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, të cilat pritet të përfitojnë  duke siguruar lëvizjen e lirë në Zonën Schengen. Por çfarë mund të thonë zyrtarët e Komisionit Europian të mërkurën?

Një mundësi është që KE të thotë se kosovarët i kanë plotësuar kriteret teknike për procesin e liberalizimit të vizave. Por, po ashtu mbetet si mundësi që të kërkohet edhe më tutje punë nga institucionet kosovare.

Siç dihet autoritetet kosovare javëve të fundit kanë theksuar se i kanë plotësuar 87 nga 95 kriteret e kërkuara nga BE. KE mund  të kërkojë po ashtu  plotësimin e këtyre kushteve gjatë muajve të ardhshëm në mënyrë që rekomandimi eventual për viza t’i sugjerohet Këshillit të BE’së për në takimin e qershorit.

Por, një nga kriteteret kryesore, përtej atyre teknike, që sfidon autoritetet kosovare është lufta kundër korrupsionit për të cilën Prishtina duhet të dëshmojë se ka dënuar persona që janë të përfshirë në këto dukuri. Një problem shtesë për liberalizimi mbeten edhe pesë vendet anëtare të BE’së që nuk e njohin Kosovën.