Rasti Kumanova, proces i montuar politik

Muhamed Shehu, familjar i të paraburgosurit Dem Shehu nga Juniku, ka qenë sot i pranishëm para Gjykatës Themelore Shkupi1. Ai deklaron se rasti i Kumanovës është proces i montuar prej koalicionit shqiptaro-maqedonas.

“Kemi ardhur këtu të gjithë familjarët e të paraburgosurve para Gykatës Shkupi 1, të jemi prezent në këtë ditë, mirëpo siç po shihet nuk na lejohet të hymë brenda dhe të marrim pjesë në procesin gjyqësor. Ky është një proces i montuar politik dhe i inskenuar prej strukturave udhëheqëse maqedonase dhe koalicionit shqiptaro-maqedonas. Është një skenar që ngjason në skenarët e tjerë, duke filluar nga viti 2001 e deri më sot. Marrëveshja e Ohrit nuk është realizuar aspak dhe situata e popullit shqiptar është ashtu siç është. Ky skenar e kthen Maqedoninë në vitet e 80-ta”, citon Lajmi deklaratën e Muhamed Shehut, familjar i të paraburgosurit Dem Shehu.

“Unë e kam kontaktuar djalin tim Valdet Zekaj. Ai është në gjendje të mirë, shumë i fortë, mirëpo këta kanë pasur vuajtje, tortura, reprezalje antinjerëzore. Kanë pasur tortura të cilat mund t’i përballojnë vetëm forca dhe ideali i madh i njeriut. Torturat kanë qenë rrahje, thyerje të gjymtyrëve, të dhëmbëve pas arrestimit”, deklaron babai i të paraburgosurit, Valdet Zekaj.  /indeksonline/