Reagon komuna e Prishtinës: Vetura e fotografuar në Graçanicë nuk është e jona

Pas publikimit të lajmit se vetura me targa zyrtare 01, ka qenë e parkuar në një restaurant serb në Graçanicë, ka bërë që sot të reagoj komuna e Prishtinës e cila drejtohet nga Vetëvendosje. Në reagimin e bërë në facebook, komuna pohon se lajmi që është lansuar mbrëmë është shpifje dhe kështu që mohon kategorikisht se ndonjë veturë zyrtare e komunës së Prishtinës të gjendej në atë kohë në atë lokacion.

Lexoni të plotë reagimin e komunës së drejtuar nga Shpend Ahmeti.

Mbrëmë vonë, Portali proqeveritar Indeksonline lansoi edhe një shpifje për Komunën e Prishtinës, duke thënë se vetura e Komunës së Prishtinës gjindej në atë kohë pranë një lokali në Graçanicë.

Jemi të detyruar që për hir të informimit të drejtë të opinionit publik të njoftojmë se targat e veturave që i ka në shërbim Komuna e Prishtinës përfundojnë me numrin 19, deri sa vetura që paraqitet në këtë shpifje numrin e fundit në targa e ka 34.

Duke qenë se Indeksonline është i afërt me qarqe të caktuara të policisë, ka pasur mundësi ta vërtetojë faktin se kjo makinë nuk është e Komunës së Prishtinës, mirëpo ka zgjedhur që qëllimshëm të shpifë dhe ta dezinformojë opinionin publik.

Komuna e Prishtinës do të ushtrojë padi për shpifje ndaj portalit indeksonline.