Reagon LDK: Njerëz me të kaluar të errët dhe hipoteka familjare nuk mund t’i fyejnë Teuta Rugovën dhe Doruntina Malokun

Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër diskursin, siç thonë ofendues, dhe fyerjet e ulëta “të eksponentëve të opozitës ndaj deputetëve dhe zyrtarëve të LDK-së, e në veçanti ndaj deputeteve Teuta Rugova dhe Doruntina Maloku

“Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se fjalët e rënda dhe etiketimet denigruese që zyrtarë të partive në opozitë i kanë adresuar ndaj deputetëve të LDK-së, janë shprehje e frustrimit të tyre, si pasojë e disfatës së kauzës së tyre fiktive e antiperëndimore.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e themeluar si një lëvizje gjithëpopullore e qytetarëve të Kosovës, çmon çdo sugjerim dhe opinion konstruktiv, por nuk do të tolerojë që njerëz me të kaluar të errët dhe hipoteka familjare e personale, të përpiqen të diktojnë veprimin politik dhe rrugën tradicionale të LDK-së, e cila do të jetë çdoherë në përputhje me filozofinë politike të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova.

LDK-ja është plotësisht e hapur për sugjerime dhe komente për veprimet e saj, por duke kërkuar që të respektohet integriteti personal, vullneti individual i përfaqësuesve politik, vendimmarrja politike si dhe rruga e pakompromis properëndimore e LDK-së.

Përtej analizave oportune ditore, Lidhja Demokratike e Kosovës vepron në përputhje me interesat afatgjate nacionale të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës.

Sa i përket ofendimeve rrugaçërore të deputetit, lidhur me buqetën e luleve, LDK-ja është e bindur se ai, duke u bazuar në të kaluarën e tij familjare, lidhjet e fuqishme të familjes së tij me shtetin fqinj, një buqetë të tillë me shumë dëshirë do ta vendoste te varri i kasapit të Ballkanit, mikut të familjes së tij, Millosheviq, regjimin kriminal të të cilit e mposhti populli i Kosovës, i prirë nga LDK-ja në krye me Ibrahim Rugovën”, thuhet në njoftim.