Nipi i Sejdi Thaçit: Xhaxhait i kujtohet vetëm arrestimi dhe një tjetër i zhdukur që ka vdekur para gjashtë muajsh (VIDEO)

Hysen Thaçi, djali i vëllaut të Sejdiut – i lindur më 1939 dhe i zhdukur më 1999, që para një jave është kthyer i gjallë tek familja – ka dhënë më shumë detaje lidhur me kthimin e xhaxhait të tij.

Ai ka thënë se megjithë shumë kërkesa ata deri në kthimin e tij nuk kanë pasur asnjë informacion për Sejdiun, gjendja e të cilit tash nuk është e mirë.

“Sejdiu është zhdukur më 6 janar 1999. Ai është marrë nga forcat serbe pas rastit ‘Panda’. Kemi kërkuar nga organizata të ndryshme për të, por nuk na është dhënë asnjë informacion. Për fat të mirë ai është kthyer i gjallë, rreth orës 8:30”, tha ai.

“Gjendja e tij nuk është aq e mirë, as ajo psikike, por as ajo fizike. Ai nuk ka njohuri për vendet ku ka qëndruar si i arrestuar. I kujtohet vetëm arrestimi. Ai nuk mundet të na tregojë, por e dimë që në Kosovë ka hyrë nga pjesa veriore. Sejdiu e përmend edhe një person, edhe ai i arrestuar, i cili ka thënë se ka vdekur para pesë apo gjashtë muajsh”.

“Nuk kemi dashur që t’i lëndojmë familjarët e të pagjeturve, që ata të mbajnë shpresa që mund të ketë edhe të tjerë si Sejdiu”, tha ai./Telegrafi/