Rrëfimi ekskluziv i Ismail Imishtit, kosovarit që “deshi ta vrasë Papën” -DOKUMENT-

I tërë aksioni i quajtur “Van Damme” i organizuar nga Policia Italiane në bashkëpunim me atë kosovar, në të cilin mbetën të arrestuar tre kosovarë, mund të ketë qenë thjeshtë një spektakël medial. Kështu të paktën del nga rrëfimi i protagonistit të kësaj ngjarje, Ismail Imishti. Ai u arrestua mëngjesin e 1 dhjetorit në Brescia të Italisë. I njëjti u la i lirë, menjëherë, në mungesë të provave se mund të jetë përfshirë në aktivitete të dyshimta terroriste. Një javë pas, Imishti thotë se i tërë aksioni ka qenë një keqkuptim qoftë i qëllimshëm ose jo.

Mëngjesi i 1 dhjetorit ia ka ndryshuar jetën Isamil Imishtit nga Hani i Elezit, me vendqëndrim në Brescia të Italisë. Ai u arrestua derisa ishte u nisur për në punë, nën dyshimin se po propagandonte ideologjinë xhihadiste. Në të njëjtën ditë dhe të njëjtën kohë, në Han të Elezit u arrestua edhe vëllai i tij në Kosovë, Samet Imishti.

Autoritetet e hetuesisë italiane madje besonin se dy vëllezërit kosovarë i përkisnin një grupi të terroristeve të cilët planifikonin një sulm ndaj Papës, raportuan mediat italiane.

Por të gjitha këto i ka hedhur poshtë, protagonisti i tërë kësaj ngjarje, Ismail Imishti. Ai rrëfen tërë ngjarjen, ndërsa pafajësinë e tij e vërteton përmes arsyes së vërtet të depërtimit të tij në Kosovë.

Gjatë qëndrimi të Gazetës Express në shtëpinë e tij, aty ku Policia e Kosovës po të njëjtën ditë arrestoi edhe vëllain e tij, Samet Imishtin, Isamaili tërë aksionin e autoriteteve të autoriteteve italiane dhe atyre kosovare e quan spektakël të policisë dhe mediave.

Krejt kjo, thotë se ka për qellim që të propagandohet dhe të paraqiten kosovarët si përkrahës të ISIS’it.

“Në mëngjes në ora 5 jam nis për në punë. Në këto momente kam dëgjuar policinë duke me kërkuar që të qoj duart lartë dhe të bie në gjunjë. Më kanë marrë çantën në të cilën kisha ushqimin e mëngjesit, dhe kanë filluar ta hapin me kujdes, duke menduar që aty mund të kem eksplozivë, apo ku ta di unë. Pas kësaj me kanë dërguar në banesë, dhe kanë filluar bastisjen, kanë kontrolluar letrat e kompanisë time atje, por nuk kanë gjet asgjë të vetme, nuk kanë marrë asnjë gjë, përveç telefonit tim mobil. ”, ka thënë Imishti.

E pikërisht këtu, thotë se, janë shuar të gjitha dyshimet se Ismaili mund të jetë përfshirë në aktivitete të tilla, ende pa e dërguar atë në stacionin policor.

Ndërkohë tregon se edhe djali i tij, Mërgim Imishti, vetëm është marrë në pyetje dhe është liruar menjëherë.

Ismaili tregon se gjatë gjithë kohës së aksionit ka menduar se Policia ka gabuar pësonin.

“Një dokument që e kemi marrë nga kompania ku kemi punuar, i cili dëshmon përfitimet materiale brenda një viti, për të përfituar dokumentet e përgjithshme italiane, ka rezultuar se është falsifikuar nga kompania, e cila ka qenë në emër të një personi të vdekur. Kjo është arsyeja pse Sameti dhe unë jemi përjashtuar nga Italia në muajin Maj të këtij viti. Sameti është kthyer në Kosovë, ndërsa unë kam vendosur të qëndroj në Itali, edhe përkundër vendimit. Këtë vendim Policia Italiane e ka përdorur për të më kthyer në Kosovë, dhe jo ato për terrorizëm”, ka thënë Ismaili.

Tutje, Ismail Imishti, rrëfen për Gazetën Express se në stacionin e Policisë nuk i është bërë asnjë pyetje në lidhje me terrorizëm. Atij i është thënë se ka rënë pre e hetimeve ndaj Samet Imishtit, dhe publikimeve të tij në Facebook.

Për këtë të fundit, ai thotë se ka pasur probleme mendore, dhe se publikimet e tij nuk lidhen me terrorizëm.

“Sameti ka pasur probleme mendore sa ishte në Itali, në vitin 2012 në kohën kur kompania e tij kishte falimentuar. Ai është trajtuar në një spital psikiatrik në Rovato të Italisë, por nuk është shëruar plotësisht. Në kohën kur i janë prishur dokumentet italiane dhe është kthyer në Kosovë, ai ka hyrë sërish në depresion dhe ka qëndruar i mbyllur. Miku i tij këtu është bërë kompjuteri dhe rrjetet sociale. Nëse Sameti ka shkruar diçka, atë e ka bërë pa vetëdije, duke menduar që është shprehje e lirë, sikurse në Itali. Unë nuk e di se çka ka shkruar saktë ai, por ju garantoj se nuk ka bërë nxitje, por ka shpreh inatin që ia kanë prishur letrat autoritetet Italiane”, ka thënë Isamili.

Pa marrë përsysh gjitha këto dyshime, Ismaili i depërtuar javën e kaluar në Kosovë, thotë se ka besim të plotë tek drejtësia në vendlindjen e tij, që sipas tij do ta dëshmojnë që vëllai i tij Sameti është i pafajshëm, dhe pret që gjithë kjo ngjarje të sqarohet një herë e përgjithmonë./ Gazeta Express

Dokument: