Rudi: Sot 15 vjet kriminelët e SHIK-ut më lanë në karrocë

Sot bëhen 15 vite nga atentati ndaj aktivistit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Fetah Rudi.

Ishte e premtja e 15 dhjetorit të vitit 2000, ditë kjo kur presidenti Rugova mbajti mbledhjen e rregullt me anëtarësinë e LDK-së. Fetah Rudi, po kthehej nga Prishtina për në shtëpinë e tij. Tek vendi i ashtuquajtur “Ura e Bytyqëve”, u zhvillua një atentat ndaj tij. Nga plumbat e këtij atentati z. Rudi mbeti në karrocë.

Sot, 15 vjet pas atentatit, Rudi, akuzon SHIK-un për atentatin që e la të palëvizshëm. Derisa thërret organet e drejtësisë për hetimin e rastit të tij e po ashtu edhe vrasjeve të tjera politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Të dashur miq të mi sot bëhen 15 vite që kur kriminelët e ShIK-ut më bënë atentat ndaj meje te ura e Bytyqeve në ora 2. 35 minuta duke u kthyer nga Prishtina ku isha në mbledhje të LDK që u mbaheshin në çdo të premte nga Presidenti Rugova. Që nga ajo kohë kam mbetë në karrocë, por këto 15 vite asnjeri nuk jam ndalur duke qenë aktive dhe marrë pjesë dhe duke dhënë kontribute në shtete ndërtim e formimin e institucioneve lokale dhe ato qendrore.

Edhe pse mbeta në karrocë po mbeta i qëndrushem e i pa thyeshëm dhe mbështetës i fort i të madhit Presidentit Rugova dhe LDK-së, ku edhe sot edhe pse nga njëherë janë munduar në forma të ndryshme të më largojnë duke mos më japin vendin aty ku duhet por nuk munden të më lëkundin nga përcaktimi im që e kam dhënë në vitin 1990 për LDK dhe Presidentin Rugova e që e kam edhe sot e do ta kem edhe nesër. Besoj që institucionet e Republikës së Kosovës të bëjnë më shume për zbardhjen e vrasjeve politike që më tani nuk janë të panjohura.

Edhe më tej kam besim dhe i mbështeti institucionet dhe qeverinë e Republikës së Kosovës të udhëhequr nga Kryeministri Akademiku z. Isa Mustafa”, ka shkruar Fetah Rudi në profilin e tij në Facebook..

Rudi vlerësohet si një hero edhe nga familjarët dhe bashkë partiakët e tij, të cilët vazhdimisht luten dhe bëjnë thirrje që e vërteta e atentatit ndaj tij të dalë në dritë.