Sa para harxhojnë shqiptarët e Kosovës në cigare?

Qytetarët e Kosovës duket se centin e fundit që kanë mendojnë ta shpenzojnë për cigare. Ata brenda një viti shpenzojnë mijëra euro për të tymosur. Këtë fakt e tregojnë edhe statistikat e importit të duhanit. Ato tregojnë se për një vit në vend kanë hyrë mbi 2 milionë e 500 mijë kilogram duhan.

Adriatik Stavileci zëdhënës në Doganat e Kosovës ka thënë për Gazetën Express se për njëmbëdhjetë muajt e këtij viti janë importuar mbi 2 milionë 500 mijë kilogramë duhan, ku vlera e tyre ka arritur afro 121 milionë euro.

“Nga 1 Janar deri më 30 tetor 2015 në Kosovë kanë hyrë 2 milionë e 541 mijë e 475 kilogramë duhan. Vlera e tyre është 121 milionë e 021 mijë e 241 euro”.

Kurse, gjatë vitit 2014 sipas statistikave të Doganave të Kosovës në vendin tonë kanë hyrë 2 milionë e 635 mijë e 351 kilogram duhan në vlerë prej mbi 113 milionë e eurove.
Në Kosovë, sipas Doganave më së shumti duhan hynë nga Gjermania, Polonia, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina.

Kurse, si importuesit më të mëdhenj llogaritet të jenë kompania “Prima Tobacco”, “Trokadero”, Bucaj” dhe “Tobakos”.

Gjatë muajit korrik Qeveria e Kosovës ka rritur akcizën në duhan nga 35euro /1000 copë në 38euro /1000. Por rritja e akcizës në duhan nuk ka prekur fare importi.

“Deri me 22 Korrik me akcizë në duhan me 35 euro në 1000 copë vlera ka qenë 593 mijë e 361 euro, ndërsa në muajin gushtë me akcizë 38 euro në 1000 copë 790,306.50, në shtatorë ka qenë 767,202.60 ndërsa diferenca brenda dy muajve është 2,150,870.90” ka thënë Stavileci.

Ndryshe, Ligji kundër duhanit është hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2010 dhe është ndaluar pirja e duhanit plotësisht në shumë institucione të vendit por shumë pak po respektohet ky ligj. Më 4 Prill të këtij viti, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për kontrollin e duhanit dhe ky ligj është nënshkruar nga vete Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. /Gazeta Express/.