SBASHK-u paralajmëron grevë në janar

Këshilli Drejtues i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), ka mbajtur sot takimin përmbyllës për këtë vit, me ç’rast ka reaguar ndaj institucioneve qendrore dhe lokale të shtetit lidhur me qasjen e tyre kundrejt mësimdhënësve në të gjitha komunat e Kosovës.

Në këtë takim u theksua se nëse kërkesat e parashtruara nga SBASHK nuk realizohen nga Qeveria, SBASHK mund të shkojë në greva që nga janari i vitit 2016.

“Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, por edhe anëtarët e Këshillit Drejtues duke përcjellë opinionet dhe zërin e mësimdhënësve nga gjithë komunat e Kosovës kanë bërë vërejtje të shumta në adresë të institucioneve qendrore e lokale të shtetit. Ata kabinetin e kryeministrit Isa Mustafa e kanë kritikuar për mosmiratimin e Ligjit për të punësuarit në arsimin e Republikës së Kosovës në vitet ‘90-‘99, për moszbatimin e Ligjit mbi Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, për mos fillimin e implementimit të Ligjit mbi Sigurimin Shëndetësor, për mos heqjen e defekteve në Ligjin mbi KES-in, për mos planifikimin në Buxhetin e vitit 2016 të mjeteve për implementimin e Ligjit për të punësuarit në arsimin shqip të Kosovës në vitet ‘90-‘99, për mungesë së gatishmërisë së duhur për dialog dhe për çështje tjera. Këshilli Drejtues ka kritikuar edhe organet e Universitetit për zvarritjen e nënshkrimit të Kontratës Kolektive për Universitetin, për mos mbajtjen premtimit lidhur me shkrirjen e stimulimit në pagën bazë dhe për mos llogaritjen e 0.5 për për vitet e shërbimit në pjesën e stimulimit. Kryesia e SBASHK-ut dhe Këshilli Drejtues në takimin e tyre kanë kujtuar Kabinetin Qeveritar dhe organet udhëheqëse të Universitetit se nëse nuk ka veprime konkrete lidhur me këto çështje, atëherë do të ketë veprime sindikale, duke mos përjashtuar edhe grevën e përgjithshme që në janarin e vitit 2016”, thuhet në kumtesë. /Telegrafi/