Së paku 70 familje shpresojnë të përzgjidhen për të marrë dru nga Komuna (Video)

Janë më shumë se 70 familje në rrugën “Bedri Gjini” të lagjes “Kodra e Trimave,” të cilët shpresojnë që do jenë të përzgjedhurit për të marrë dru për ngrohje nga Komuna e Prishtinës, raporton “038” i KTV-së.

Temperaturat dita-ditës po bien dhe shumë familje nuk kanë me çfarë të ngrohen, ngase thonë se 75 euro, si ndihmë sociale, nuk u dalin as për ushqim.

Ata thonë se vitin e kaluar kanë marrë dru nga komuna, por që për këtë vit nuk kanë shumë shpresa.

I pari i lagjes, Idriz Berisha, thotë se i ka dërguar komunës kërkesën për lagjen, në të cilën jetojnë kryesisht komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas.

E ndonëse jemi zyrtarisht në dimër, komuna ende nuk ka zgjedhur përfituesit.

Për shkak se numri i aplikuesve është i madh, komuna do të duhet të zgjedhë në mes të rasteve më të rënda sociale, ngase nuk ka dru për të gjithë.