Enver Sekiraqa tha në gjykimin ku po akuzohet për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës se për këtë vrasje është dënuar dikush.
“Vrasja e Triumf Rizës është një konspiracion ndaj meje, pasi që për atë vrasje është dënuar një njeri,” tha Sekiraqa, duke aluduar në dënimin e Arben Berishës me 35 vjet burg për vrasjen e ish-policit Riza.
Pyetjes së prokurorit në lidhje me vrasjen e Rizës, Sekiraqa iu përgjigj me fjalët se nuk ishte aty kur ajo ndodhi.
“Unë nuk jam analist i vrasjeve. Unë nuk kam qenë aty në vrasje,” tha Sekiraqa.
Më tutje Sekiraqa si edhe në seancat e kaluara që nga 3 marsi kur filloi mbrojtjen mohoi se e çonte keq me Rizën, policin e vrarë në vitin 2007.
“Unë nuk kam pasur kurrë kontakt me Triumf Rizën. Unë s’kam pasur asnjë problem me Triumfin,” tha Sekiraqa.
Ai tha se paratë i ka fituar nga puna, ndërsa deklaroi se nuk është i pasur.
“Unë të hollat i kam fituar duke u marrë me tregti me kerre, ndërsa babai im ka qenë mjeshtër. Unë jo vetëm në vitin 2007, por edhe në vitet ’90 e kam pasë gjendjen financiare mesatare, po i pasur nuk jam,” tha Sekiraqa.
Ai më tutje mori shembull se si ka fituar para.
“Nje xhip “Shiroka” e kam blerë 19.000 euro e kam shitë 32.000 euro, kështu kam fituar para,” tha Sekiraqa.
Seanca e kaluar ishte e mbyllur me kërkesë të prokurorit Andrew Carney, pasi prokurori Carney kishte thënë se do t’i shtrojë pyetje të ndjeshme Sekiraqës.