Serbët nuk do ta pranonin pavarësinë e Kosovës për hyrje në BE

Një sondazh i kryer nga Mendimi i ri politik serb, i kryer në mes të datave 10 e 18 nëntor, në të cilin ishin përfshirë 1.100 qytetarë nga Serbia e Kosova, shumica e respondentëve, ose 76,3 për qind e tyre, u deklaruan se nuk duhet të pranohet kushti i njohjes së pavarësisë së Kosovës për hyrje të Serbisë në BE.

Në pyetjen se a do të duhej të pranohej pavarësia e Kosovës, nëse ky do të ishte kushti për hyrje të Serbisë në BE, 76,3 për qind e të anketuarve thanë se këtë nuk duhet pranuar, ndërsa 14,9 për qind u deklaruan se ndoshta një kusht të tillë eventual do të duhej pranuar.

Për ndarjen e Kosovës, në mënyrë që Serbisë t’i takonin veriu dhe manastiret kryesore, kurse pjesa tjetër të njihet si shtet i pavarur, u deklaruan 46 për qind e respondentëve, ndërsa kundër ishin 44,4 për qind e qytetarëve të anketuar.

Nëse do të zhvilloheshin zgjedhjet të dielën, kurse votat e të padeklaruarve të ndaheshin proporcionalisht, sondazhi nxjerr fituese Partinë Përparimtare Serbe (SNS) me 45,8 për qind të votave, Partia Socialiste e Serbisë (SPS) 10,4 për qind, Partia Demokratike (DS) 9,4 për qind, ndërsa Partia Radikale Serbe (SRS) 5,8 për qind të votave.

Kundër hyrjes së Serbisë në NATO ishin 80,1 e të anketuarve, ndërsa mbështesin federatën e Serbisë me Rusinë 68,2 për qind e respondentëve.