Serbët nuk po e donë regjistrimin e popullsisë në veri

Planifikimi i institucioneve të Kosovës që regjistrimi i popullsisë në veri të vendit të realizohet në vjeshtën e vitit të ardhshëm, ka gjasa të dështojë.

Ky proces që konsiderohet se është në interesin e të gjithëve të kenë në dispozicion statistika të sakta me qëllim avancimin e planeve dhe programeve zhvillimore në nivel lokal, por po kundërshtohet nga përfaqësuesit politik të serbëve në veri të Mitrovicës, si dhe qytetarët e asaj pjese.

Ata janë të një mendimi rreth bojkotimit të regjistrimit të popullsisë të organizuar nga institucionet e Kosovës, duke konsideruar në këtë mënyrë se popullata serbe e shpërngulur pas luftës, duhet të kthehet së pari në Kosovë, dhe pastaj të bëhet regjistrimi.

Avni Kastrati, shef i Divizionit për statistika të popullsisë në Agjencicinë e Statistikave të Kosovës (ASK), ka thënë përmes telefonit se po planifikohet që regjistrimi i popullsisë në veri të vendit të realizoh et ndoshta në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

Sipas tij, ky proces për veriun është vonuar për shkak se serbët nuk kanë pranuar të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.

“Në lidhje me këtë çështje janë zhvilluar diskutimet në nivelin më të lartë qeveritar dhe shpresoj se ky regjistrim i popullsisë do të realizohet në vitin 2016”, ka thënë për KosovaPress Kastrati.

Në anën tjetër, Ksenija Bozhoviq, kryesuese e Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, ka pranuar se regjistrimi i popullsisë është dashur të mbahet shumë më herët, duke fajësuar pushtetin qendror dhe lokal për mos mbajtjen e këtij regjistrimi.

Sipas saj, për të ardhur deri tek të dhënat e sakta statistikore në lidhje me regjistrimin, duhet që më shumë të punohet rreth kthimit të mbi 300 mijë serbëve të cilët janë shpërngulur nga Kosova, për çka siç tha ajo, është punuar shumë pak.

Duke u shprehur e bin dur se nuk duhet që medoemos procesi vetëm të përfundojë dhe të mos ketë asgjë të qartë e konkrete, ajo potencoi se regjistrimi i popullsisë në veri ndoshta do të realizohet vitet në vijim, por në vitin 2016 me siguri jo.