Serbia më 14 dhjetor hap dy kapitujt e parë për negociata anëtarësimi në BE

Mosbashkëpunimi i Serbisë me Tribunalin e Hagës në rastin e disa të akuzuarve për mosrespektim të Tribunalit, bashkëpunëtorë të të akuzuarit Vojislav Sheshel, dhe pritja nga disa ministra e të dënuarit kriminel të luftës Lazareviq, nuk do të mund të ndikojnë në pengimin e Serbisë që të bëjë një hap të madh në procesin e anëtarësimit në BE.

Edhe pse në BE vazhdojnë të pohojnë se “Serbia i di obligimet e saj” dhe se “duhet të punohet në pajtim rajonal”, deri më tash nuk është dëgjuar ndonjë qortim publik i Serbisë për heroizmin që po i bën kreu shtetëror një të dënuari për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Në BE mendojnë se Serbia, falë përparimit të madh që ka bërë në normalizimin e raporteve me Kosovën, i ka përmbushur kushtet e nevojshme që të hapë kapitujt e parë në procesin negociator, hap ky që Serbia e pret tash e disa muaj.

Komisioni Evropian kishte propozuar kohë më parë, ndërsa tash është arritur pajtim i të gjitha 28 shteteve anëtare në grupet punuese në Këshillin e BE-së për hapjen e dy kapitujve, që do të ndodhë në një konferencë ndërqeveritare më 14 dhjetorë në Bruksel.