SHBA, Skandal në rradhët e demokratëve, Sanders siguron të dhënat e votuesve të Klinton

Stafi i kandidatit demokrat Bernie Sanders, akuzohet se ka hyrë në mënyrë të fshehtë në software-in e rivales së tij, Hilary Klinton, duke shkarkuar të dhëna kryesore të mbështetësve të kësaj të fundit.

Partia Demokratike ka kërkuar një hetim të menjëhershëm për të zbardhur detajet e këtij skandali, teksa Sanders ka fajësuar shitësin e software-it për rrjedhjen e të dhënave.

Mbi ngjarjen ka reaguar edhe kryetarja e Komitetit Kombëtar Demokrat, Debbie Schultz, e cila konfirmoi se stafi i Sanders e ka hapur disa herë programin kompiuterik, duke shkarkuar informacione të vlefshme.

Ndërkohë, zëdhënësi i Sanders, Michael Briggs, ka mohuar përfshirjen e të gjithë stafit teksa nënvizoi se në software ishte futur vetëm një antar i grupit.

Ai shtoi se pas diskutimit me Komitetin Kombëtar Demokrat, drejtuesit e fushatës ranë dakord që t’a pushonin nga puna antarin që kishte kryer veprimin e jashtëligjshëm. (Ora) /Gazeta Blic/