Shëndetësia pa progres

Vlerësimet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për sektorin e shëndetësisë kanë kaluar pa u vërejtur nga njerëzit që menaxhojnë dhe mbikëqyrin shëndetësinë në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, nuk e ka lexuar fare pjesën për shëndetësi që është në këtë raport, por beson që ai nuk është negativ.

Edhe anëtarët e Komisionit parlamentar për shëndetësi nuk kanë gjetur kohë për ta lexuar këtë pjesë. Kur gazeta i ka kontaktuar ata kanë premtuar se do ta lexojnë pjesën e shëndetësisë e pastaj do t’i japin komentet e tyre.

Vdekshmëria shumë e lartë e foshnjave në Kosovë, gjendja e keqe e shëndetit mendor, abuzimi me shërim jashtë vendit, çështja e ilaçeve, skreningu i kancerit, problemet që kanë dalë nga moszbatimi i Ligjit për sigurime shëndetësore janë vetëm disa aspekte në të cilat Komisioni Evropian konsideron që Kosova ka dështuar ose ka ngecur.

Ngecje të mëdha sipas raportit ka edhe në aspekte të tjera të shëndetësisë. Sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, Kosova ka dështuar edhe në programet që institucionet vendore i quajnë suksese.