Shengeni mund të pezullohet për 6 muaj, ministrat e BE bien dakord

Këshilli i ministrave të Brendshëm të BE-së u pajtua për mundësinë e pezullimit të regjimit të lirë kufitar për një periudhë deri në 6 muaj, përtej së cilës, në rast problemesh, i kërkojnë rekomandim komisionit, në zbatim të nenit 26 të kodit të kufirit Schengen.

Ky vendim prek në mënyrë direkte fqinjët e BE-së dhe të hënën komisioneri Dimitris Avramopulos tha se do të diskutojë në Sarajevë me ministrat e Brendshëm të Ballkanit mbi vendimet e Këshillit.

Jean Asselborn, ministër i Jashtëm i Luksemburgut, Presidenca e BE: “Ne kërkuam kufizime të përkohshme për rivendosjen e kontrolleve kufitare në kufijtë e brendshëm, në bazë të vendimeve nacionale. Këto kontrolle mund të kufizohen vetëm për një periudhë deri në 6 muaj. Kështu që, në mars përfundon afati për Gjermaninë dhe Austrinë, për shembull, dhe ministrat u pajtuan se kur ka mangësi serioze, të cilat rrezikojnë funksionimin e zonës Schengen, si rezultat i ngjarjeve objektive, atëherë neve do të na duhet  të kemi një kuadër të përbashkët europian”.

Dimitris Avramopoulos: “Schengen nuk është problemi. Ne duhet të përdorim mjetet e tij për ta bërë pjesë të zgjidhjes. Kjomund të ndodhë vetëm me zbatimin e duhur të rregullave dhe forcimin e kontrolleve kufitare”.

Asselborn: “Nuk është ligjërisht e mundshme të përjashtosh një vend anëtar nga zona Schengen. Rregullat e Schengenit janë masa graduale për t’u marrë për të shëruar mangësitë dhe në fund të ditës, kjo çon drejt rivendosjes së kontrollit të brendshëm kufitar”.

Vetëm një ditë më parë, Greqia kërkoi ndërhyrjen e FRONTEX dhe aktivizimin e mekanizmit të mbrojtjes civile europiane. E pafuqishme, juridikisht, për nxjerrjen e Greqisë nga Schengen, krahas kërcënimit për rikthim të kufijve në segmente të veçanta, BE planifikon dhe forcim të agjencisë FRONTEX për mbikqyrjen e kufijve, në pamundësi të një vendi anëtar.

Thomas De Maziere, ministër i Brendshëm i Gjermanisë: “FRONTEX duhet të forcohet dhe Franca me Gjermaninë kanë nisur një iniciativë për këtë. Komisioni duhet të prezantojë një propozim në dhjetor, i cili do të diktojë se kur një vend anëtar nuk mbron kënaqshëm kufijtë e vet të jashtëm, FRONTEX mund ta marrë në dorëzim. Ne duam të ruajmë Schengenin, por që të ketë një sistem të lirë funksional të kufijve të brendshëm nevojitet mbrojtje funksionale në kufijtë e jashtëm”.

Këshilli i BE-së nuk ka ende një listë europiane të vendeve të sigurta të origjinës, për shkak të verifikimit të përputhshmërisë së propozimit të Komisionit me të drejtat themelore, por vendet anëtare ranë dakord për rregulla të reja lehtësuese për emigracionin e ligjshëm të studentëve dhe kërkuesve nga vendet e treta, për thjeshtimin e pranimit të azilkërkuesve në vendet pritëse të refugjatëve, si dhe për të reaguar bashkërisht për apatridët. Për hir të luftës kundër terrorizmit, pas 5 vjet diskutimesh, vendet anëtare u pajtuan, sipas kompromisit të arritur me Parlamentin Europian, mbi propozimin për direktivën e përdorimit të të dhënave të pasagjerëve./Top Channel/